Zëvendës ministri i Marinës, Nektarios Santorinios e ka quajtur një sukses të madh të policisë bregdetare operacionin për ndalimin e gomones me 1. 6 ton kanabis.

"Duket se kemi goditur një grup të madh kriminal. Ishte nje operacion që zgjati plot 48 orë" mësohet të ketë thënë Nektarios Santorinios, informon gazetari i Ora News Robert Goro.

Një biznesmen grek është arrestuar si person që ka lidhje me gomonen me 1.6 to kanabis e cila vinte nga Shqipëria dhe u sekuestrua të shtunën e 25 nëntorit në Greqi.

Mediat greke japin vetëm inicialet e biznesmenit grek, S.K. Ai rezulton të ketë biznese në ishullin kozmopolit Mykonos.

Biznesmeni grek është arrestuar në një hotel në zonën bregdetare të Athinës.

Policia bregdetare greke bën të ditur se kishte informacionin e plotë për një gomone e cila u nis prej Greqisë për të marrë lëndën narkotike në Shqipëri. Krahas anijeve të policisë bregdetare janë mobilizuar helikopterë të agjencisë evropiane Frontex, si dhe snaipera të forcave speciale. Ata u vendosën në pika kyçe, nga mendohej se do të kalonte itinerari i skafit të drogës.

Gomonia ka qenë nën survejim që kur u drejtua për në brigjet shqiptare, ku mori ngarkesën e drogës dhe pastaj. kur hyri në ujërat greke u tentua pa sukses ndalimi i tij. Gomonia kishte tre motorë nga 350 kuaj fuqi dhe manovronte lehtësisht. Gjatë ndjekjes, nga gomonia u qëllua mbi  një skaf të policisë bregdetare greke dhe në përpjekje për t'iu shmangur plumbave, disa efektivë  ranë në ujë, duke pësuar lëndime të lehta.

Pas shumë orësh, gomonia u ndalua në zonën detare midis ishujve Makronisos dhe Kea, pranë Athinës. Ndalimi u bë i mundur pasi snajperat që ndodheshin në helikopter arritën të godisnin gomonen, duke i eliminuar mundësitë për manovrime të tjera.

Në bordin e gomones ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian të cilët u arrestuan. Në komunikatë thuhet se një prej të arrestuarve u dërgua në spitalin "Evangelismos" për arsye profilaktike, por nuk sqarohet nëse kjo u bë për shkak të ndonjë plage, si dhe nuk bëhet e ditur shtetësia e tij.

Sasia e kanabisit që transportonte gomonia ishte 1,6 ton, ndërkohë që gjatë ndjekjes trafikantët kishin hedhur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.

Paralelisht me këtë operacion në zona të ndryshme të Athinës, u zhvilluan disa kontrolle, ku u arrestuan shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve shqiptarë, një italian, një bullgar dhe një grek. Në mesnatë po ashtu është arrestuar dhe një biznesmen i njohur. Gjithashtu u sekuestrua një tjetër gomone, me katër motorë 350 kuaj fuqi, si dhe armë.

Komunikata e policisë bregdetare greke bën me dije se hetimet po vazhdojnë mbi lidhjet e krerëve të organizatës, me qëllim që të bardhet e gjithë skema e trafikut që kishte për destinacion kryesisht vendet evropiane.

/Ora News.tv/