Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pak prova që tregojnë se ndryshimi i stinëve mund të ndikojë në përhapjen apo jo të koronavirusit. Dyshime ka edhe për mundësinë që personat mund ta transmetojnë virusin edhe pa shfaqur simptomat e tij.

Organizatës Botërore të Shëndetësisë i nevojiten kohë dhe studime për të konfirmuar hipotezat më themelore rreth transmetimit apo agresivitetit të koronavirusit të ri.

Pesë muaj nga rasti i parë fatal i sëmundjes që pati zanafillën në Kinë, kreu i OBSH-së, Tedros Adanom, tha të mërkurën se agjencia e tij nuk e ka ende të qartë a e transmetojnë virusin personat që nuk shfaqin shenjat e tij apo ndryshe asimptomatikët.

Adanom tha se ai vetë dhe vartësit e tij mbajnë përgjegjësi për gjithçka bëjnë dhe thonë.

"Nga fillimi i shkurtit kemi thënë se njerëzit asimptomatikë mund ta transmetojnë Covid-19 por na duhen më shumë studime për të përcaktuar shtrirjen e këtij transmetimi. Ajo që ne dimë, gjithsesi, është se gjetja, izolimi dhe testimi i njerëzve me simptoma por edhe gjurmimi dhe karantinimi i kontakteve të tyre, janë kritike për ndaljen e transmetimit."

Edhe pse historikisht stina e dimrit shënon nisjen e sezonit të virozave gripale, ekspertët e shëndetësisë sërish nuk janë të sigurt si do reagojë koronavirusi në të njëjtat kushte.

Sipas shefit të OBSH-së për emergjencat, Majkëll Rajan, mungojnë të dhënat edhe për faktin nëse sëmundja mund ta ulë shkallën e infektimit apo të qëndrojë njësoj gjatë stinës së verës.

"Fokusi ynë duhet të jetë te kontrolli, ndalimi dhe zbutja e sëmundjes, e nëse këtu ndihmon edhe klima, ky është lajm i mirë. Por nuk mund të ecim me pritshmërinë se stina apo temperatura kanë për të qenë përgjigjja, sepse nuk janë ato, janë masat për shëndetin publik."

Për OBSH-në, shqetësim për momentin mbetet situata në Amerikën Qendrore dhe Latine, ku koronavirusi po avancon dita-ditës.

Për sa i përket vaksinave, zyrtarët e organizatës së shëndetësisë thonë se ato po testohen në 40 shtete të botës me të njëjtat protokolle, duke hedhur poshtë njëherazi thashethemet se vendet afrikane po përdoren kryesisht për testimin e vaksinave eksperimentale.

Në gjithë botën, më shumë se 7,3 milionë persona janë infektuar me koronavirusin e ri, nga të cilët 2 milionë vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që 416 mijë është numri i viktimave në 188 shtete të botës.

/Ora News.tv/