Numri i njerëzve të vdekur nga shpërthimi i një koronavirusi në Kinë ka arritur në 361. Stafi mjekësor në Hong-Kong kërkon mbylljen e plotë të kufirit me shtetin aziatik, ndërsa në Amerikë raportohen raste të reja.

Koronavirusi i ri në Kinë u ka marrë jetën të paktën 57 personave në 24 orët e fundit, duke e rritur në 360 viktima bilancin e vet fatal.

Autoritetet raportojnë mbi 2,800 raste të reja dhe 17 mijë raste të konfirmuara, ndërsa në mbikëqyrje po mbahen afro 22 mijë qytetarë të tjerë kinezë.

Duke marrë parasysh situatën e rënduar, sindikata e punonjësve të sistemit shëndetësor në rajonin gjysmautonom kinez të Hong-Kongut protestuan të hënën duke i drejtuar qeverisë lokale pesë kërkesa për të luftuar epideminë, përfshirë mbylljen e plotë të kufirit me Kinën.

Në Hong-Kong janë konfirmuar 15 pacientë të infektuar, por deri tani nuk ka pasur viktima.

"Patjetër që duhet ta mbyllin kufirin. Nëse nuk i pengojmë hyrjen në Hong-Kong njerëzve të infektuar me koronavirusin e ri, puna e mjekëve nuk ka kuptim," u shpreh një nga protestuesit.

Ndërsa vijon evakuimi i shtetasve të huaj nëpër vendet e tyre të origjinës, janë rritur rastet e pacientëve me virusin vrasës në Europë, ndërsa në SHBA tashmë raportohen 11 të infektuar.

"Dy individët janë burrë e grua të moshës 57 vjeç. Bashkëshorti kishte qenë në Uhan të Kinës dhe ishte kthyer në San-Francisko më 24 janar. Në skanerat dhe karantinën e aeroportit ai nuk kishte shfaqur simptoma të sëmundjes. Me të drejtë ka dyshime se edhe personat e infektuar që nuk shfaqin fillimisht simptoma mund ta përhapin sëmundjen, por kësaj nuk i përgjigjemi dot për momentin," deklaruan të dielën zyrtarët e shtetit të Kalifornisë.

/Ora News.tv/