Nuk ka reformë zgjedhore për zgjedhjet vendore të 30 qershorit

Një dita pasi Partia Socialiste e propozoi në krye të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri shprehet se ndryshimet në kodin elektoral do të miratohen Brenda 5 Majit. Madje, edhe pse PD ka djegur mandatet, ai i fton që të bëhen pjesë e komisionit përmes një vëzhguesi që do të ketë të njëjtat kompetenca me bashkëkryetarin.

Gjiknuri: Ne do ti krijojmë mundësi PD përmes një vëzhguesi special të atashuar pranë Komisionit që ka të drejta të plota si bashkëkryetari. PD nuk i humb të drejtat e saj qoftë për të propozuar ndryshime apo për të miratuar ndryshime që bëhen aty.

Ndryshimet në kodin zgjedhor duan të paktën 84 vota, çka kërkon bashkëpunimin me deputetët e rinj të opozitës. Por Gjiknuri kërkon një konsensus edhe me opozitën e mbetur jashtë parlamentit duke premtuar se  efektet do të shtrihen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa për votimet e 30 qershorit do të veprohet me ligjin aktual.

Gjiknuri: Të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODIHR do të jenë të vlefshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe jo për zgjedhjet vendore pasi tashmë jemi në fazën e implementimit dhe organizimit të këtyre zgjedhjeve. 

Megjithatë, nëse PD do të bëhet pjesë dhe kërkon që të ndryshohet kodi edhe për këto zgjedhje, PS mbetet e hapur.

Gjiknuri:  Pavarësisht se janë jashtë Kuvendit kanë një dritare të hapur për të komunikuar me mazhorancën në mënyrë që të kalojmë një kod konsensusal. Në çdo kohë që PD vendos të ulet në tavolinë për të ndryshuar kodin zgjedhor, edhe sikur të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, kërkohen patjetër ndryshime të kodit zgjedhor dhe PD e ka këtë hapësirë. Ne i bëjmë thirrje ta shfrytëzojë këtë mundësi që ta shtyjmë përpara këtë proces.


EMISIONET