Një vit pas tragjedisë "Morandi" ku humbën jetën edhe 2 shqiptarë

Italia kujtoi sot ngjarjen tragjike të shembjes së urës Morandi në Genova.

Autoritetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës Sergio Mattarella, kryeministri Giuseppe Conte, dy zëvendëskryeministrat Matteo Salvini e Luigi Di Maio, autoritetet lokale e banorë të qytetit kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore e cila nisi në të njëjtën orë të tragjedisë së një viti më parë.

Ishte ora 11:36 minuta, në një mot të keq me një shi të fortë, kur 250 metra të urës Morandi u shembën së bashku me kollonën mbajtëse numër 9.

43 persona mbetën viktimë mes të cilëve dhe dy të rinj emigrantë shqiptarë Marjus Djerri 22 vjeç e Admir Bukrina 32 vjeç.

Ora News ishte media e parë shqiptare që përcolli identitetin e tyre duke ndjekur gjatë gjithë natës zhvillimet e kësaj tragjedie mes kontakteve të drejtpërdrejta në prefekturë e në spitalin e Genovas.

Marjus Djerri ishte me origjinë nga Shijaku e me pasionin e madh për futbollin .Prej vitit 2015 luante në rolin e sulmuesit në skuadrën amatore Black Out të provincës së Genovas. Siç e dëshmon dhe skeda e tij si lojtar, gjatë sezonit 2016-2017 Marjus kishte shënuar 10 gola me skuadrën e tij.

Në momentin e tragjedisë ai po udhëtonte për të punuar drejt komunës Rapallo.Në furgonin e punës ai udhëtonte së bashku me shqiptarin tjetër Admir Bukrina 32 vjeç, me origjinë nga fshati Oblik i Shkodrës. Admir Bukrina ishte i martuar e sipërmarrës i një shoqërie të vogël ndërtimi.

Dy shqiptarët po udhëtonin drejt vendit të punës, kur së bashku me automjetin e tyre u përpinë nga gërmadhat e urës Morandi, të cilët e pëshkonin disa herë në ditë së bashku me mijëra e mijëra qytetarë të tjerë.

Sot një vit më pas, këmbanat e qytetit të Genovas e sirenat e portit ushtuan ekzaktësisht në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia. Familjarët e viktimave kanë kërkuar që drejtuesit e shoqërisë Autostrade Italia të largohen e të mos marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Peshkopi i Genovas, kardinali Angelo Bagnasco mbajti një meshë përkujtimore me familjarët e viktimave në kapanonin e punimeve të kullës numër 9.

Plagët e kësaj ngjarje tragjike janë ende të hapura. Rreth 600 familje mes të cilëve dhe mjaft familje shqiptare janë evakuar nga banesat e tyre në rrezik shembje në vendin pranë urës, duke u strehuar në shtëpi të vëna në dispozicion nga Bashkia.

Autoritetet italiane kanë nisur një proces hetimor për zbardhjen e përgjegjësve të kësaj tragjedie. 20 persona janë vënë nën hetim, mes të cilëve drejtues të lartë të "Autostrade per l'Italia", shoqërisë përgjegjëse për mirëmbatjen e urës, meanxherë të zyrës së kësaj shoqërie në Genova e Romë, si dhe funksionarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Të hetuarit akuzohen për krim të shumëfishtë e të qëllimshëm, fatkeqësi të qëllimshme e vrasje rrugore të qëllimshme.

Hartimi i listës me 20 persona të hetuar erdhi pas inspektimti të kryer nga Policia Financiare i të gjithë dokumentacionit të marrëveshjes mes shoqërisë Autostrade per l'Italia e Ministrisë së Transportit.

Sipas prokurorit të Genovas, Francesco Gozzi, nën hetim është vënë dhe vetë kompania "Autostrade per l'Italia" bazuar në ligjin për përgjegjësitë e sipërmarrjeve.

Përkujtimi i kësaj tragjedie bëhet në një moment të vështirë për qeverinë italiane e cila ndodhet në krizë të plotë institucionale. Ura Morandi është një nga çështjet më të debatuara brenda qeverisë duke ndarë qëndrimet e dy forcave të koalicionit mbi heqjen e së drejtës së mirëmbajtjes së rrugës shoqërisë Autostrada l 'Italia.

Pjesa e mbetur e urës Morandi u shemb në shkurt të 2019. Tashmë ka nisur rindërtimi i urës me një plan të dhuruar nga arkitekti Renzo Piani. Ura e re pritet të inaugurohet në pranverën e 2020-ës.

EMISIONET