Një problem i vjetër dhe i ri

Një problem i vjetër dhe i ri

Dikur problemi paraqitej ndryshe. Kreu i opozitës nuk ishte fare në sallën e Kuvendit. Ndodhej në bashki, e kjo e pengonte të ishte njëherësh edhe deputet. Sot, kur nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme kanë kaluar 19 muaj, Lulzim Basha ka një tjetër problem. Në fakt nuk është as problem i ri dhe as i panjohur: rivalitetin e paraardhësit.

Kush e pa degjenerimin e seancës së fundit të parlamentit në një lumë sharjesh e fyerjesh ku u përfshinë të gjithë, panë se përtej fjalëve të ndyra e akuzave të skajshme, ndodhi një fenomen që e kemi parë shpesh të konsumohet pas vitit 2013. Sa herë që Berisha ngre tonet në prezencë të kryetarit të Partisë Demokratike, ky i fundit futet në krizë. Më saktë, në krizën e heshtjes dhe të mpakjes. Kjo ndodhi e qartë si drita e diellit edhe të enjten e fundit, kur Rama e Berisha ju “futën” njëri-tjetrit me libër shtëpie, në një nga përplasjet më të shëmtuara të viteve të fundit. Të dy krerët në fjalë i ngacmuan grupet e deputetëve, të cilët nuk kursyen duartrokitjet, ndërkohë që shefi zyrtar i opozitës vështronte i heshtur dallgët e entusiazmit partiak.

Është folur e shkruar shumë për dualizmin në kokën e Partisë Demokratike pas vitit 2013. Shpesh kjo rrethanë është komentuar si më kryesorja në profilin e munguar të Lulzim Bashës. Dhe e gjitha kjo ka një arsye. Berisha dhe hija e tij e kanë shbalancuar, turbulluar dhe shkundur rregullisht formatin që Basha është munduar të krijojë me kalimin e viteve në poltronin që më parë i takoi për 22 vjet liderit historik. Natyrisht, siç u pa dhe të enjten, as Berisha s’e ka ndihmuar fare në këtë drejtim. Ai ka vazhduar të bëjë zhurmën e tij, duke i rënë “teneqeve” të rrjetit social, ka vijuar të mbajë fjalime të forta dhe plot kërcënime për qeverinë, duke e kushtëzuar qartë dhe drejtpërdrejt edhe sjelljen e Bashës.

Oktavat e zërit të Berishës, ato që ai thotë dhe bën, kanë qenë pasqyra me gropa ku Lulzim Basha ka parë profilin që duhej të ndiqte por që (për fat të mirë), s’e ka ndjekur dot deri tani. Çeshtje moshe, formimi dhe pamundësie për të prodhuar energjinë negative që Sali Berisha ka ditur të hedhë mbi kokat e shqiptarëve që nga dita e parë e tranzicionit shqiptar.

Sali Berisha vazhdon ta tërheqë PD drejt një të shkuare që sot, kur opozita ndodhet në vështirësi të dukshme, është edhe tunduese por edhe e rrezikshme. Tunduese, pasi Berisha reklamon jo pa të drejtë trashëgiminë e dikujt që e mbajti partinë e tij në pushtet për rreth një dekadë e gjysëm. Të rrezikshme, pasi stili politik i Sali Berishës përfaqëson gjithçka të rëndë, traumatike dhe arbitrare që tranzicioni i rezervoi shqiptarëve.

Duartrokitjet që Berisha mori të enjten në Kuvend, teksa shthurte gojën në mënyrën më të shëmtuar ndaj Edi Ramës dhe familjarëve të tij, janë një shuplakë direkte për liderin e heshtur Basha, i cili sa herë del në podium përpiqet të përdorë gjuhën dhe tonet e Berishës. Por që, siç e kemi parë tashmë, nuk i ka të vetat, nuk i shkojnë, sepse i rrinë si një kostum i marrë borxh.

Lulzim Basha mund të ketë shumë defekte, por ai nuk e pati kurrë aciditetin, negativitetin dhe egërsinë e gjuhës së Berishës. Edhe kur është përpjekur, ka tingëlluar fallco. Ka qenë vërtetë ministri i brendshëm i 21 janarit, por atë ngjarje e ka marrë përsipër të gjithën shefi i tij i vjetër, pa i lënë askujt rastin që të “mburret” më të vrarët në bulevard. Basha nuk e replikon dot Doktorin, ai vetëm e vuan hijen e tij. Nëse duhej një rast tjetër flagrant i këtij dyzimi, shihni seancën e fundit të parlamentit.

EMISIONET