Spektakël dhe surpriza në sheshin "Nënë Tereza" për të hapur siparin e edicionit të 14 të garës më të vjetër në Ballkan "Rally Albania". Pjesëmarrës në këtë edicion janë 180 sportistë nga 15 vende të ndryshme të botës do të garojnë nga data 9-16 qershor në 4 kategori: Moto, Quad, Makina. Për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, Rally Albania është një ndër aktivitet që e bëjnë qytetin të ndihet gjallëria në çdo orë.

“Taksitë elektrike, biçikletat, shumë shpejt edhe autobusët elektrikë, janë mënyra se si mund të kapërcejmë disa etapa. Beteja për biçikletat në Holandë nuk është fituar para qindra vjetësh, por është fituar në vitet ’70, kur qytetet kuptuan se nëse secili përdor makinë, qytetet do të kolapsojnë. Po shohim se çfarë ka funksionuar në qytetet e tjera dhe po i zbatojmë në Tiranë”, tha Veliaj, teksa ftoi qytetarët që të përdorin si mjet transporti biçikletat Mobike.

Por, surprizat këtë verë nuk kanë fund. Kryebashkiaku tha se qytetarët e Tiranës do të mund të ndjekin sfidat e Kampionatit Botëror të Futbollit me familjen e tyre nga arena gjigande që po ngrihet në sheshin “Skënderbej”, i cili pas transformimit që ka pësuar nga Bashkia e Tiranës, është tërësisht në dispozicion të këmbësoreve dhe aktiviteteve të ndryshme social-kulturore. 

Qyteti është bërë më i jetueshëm pothuajse në çdo shesh. Po përgatisim sheshin “Skënderbej” në një arenë të madhe sportive për Kampionatin Botëror. Ka diçka te Pazari i Ri, ka diçka te Muzeu, pra qyteti është bërë i këndshëm për të jetuar, për të ecur dhe për të përdorur biçikletën”, tha Veliaj.

Sportistët që do garojnë në “Rally Albania” do të përshkojnë një itinerar me gjatësi prej rreth 2000 km, për 7 ditë, nga veriu në jug, duke startuar në Tiranë dhe duke prekur pothuajse të gjitha pasuritë natyrore dhe turistike vendase. 

Këtë vit është ngritur edhe një hapësirë e dedikuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku të gjithë dashamirësit do të mund të njihen nga afër me garuesit dhe mjetet. Ceremonia e çmimeve për Rally Albania do të zhvillohet në Tiranë, të dielën e 16 qershorit.



/Ora News.tv/