Kastrioti nuk po arrin të ngre krye, teksa pas 17 javësh qëndron në vendin e fundit me 10 pikë. Këtë fundjavë, krutanët u mposhtën me "poker" golash nga Teuta e cila u ngjit në vendin e dytë. Pas disfatës, trajneri i tyre, Stavri Nica ndjeu keqardhje për gjendjen e skuadrës, ndërsa pranoi se lojtarët po bëjnë komplot për ta larguar.

"Humbja e sotme ishte një turp. Këtë gjendje të skuadrës nuk e kapërdijë dot, kështu që duhet të veprojmë dhe t'i zgjidhim situatën, për formatimin e skuadrës, për përbërjen e skuadrës, për lojtarët tekanjozë që janë edhe të paaftë por edhe të qëllimshëm. Duhet sigurisht që të largohen edhe të gjejnë një klub ku mund t'i ecë. Ky model, që të pësosh në dy ndeshje 8 gola për mua është një turp. Dhe sigurisht unë mendoj se nëse nuk do të veprohet seriozisht dhe me bindjen time se çfarë lojtarësh duhen në skuadër, që të bëjmë një kthesë, një revolucion në skuadër që t'i mbushim mendjen edhe qytetit tonë se jemi përgjegjës para futbollit tonë, por edhe para futbollit shqiptar. Ose revolucion ose unë largohem."-tha Nica.

/Ora News.tv/