Kur dukej se anëtarët e Këshillit Politik ishin drejt arritjes së një marrëveshje për reformën zgjedhore, ajo është bllokuar sërish.

Shkak është bërë formula për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili përbëhet nga 3 trupa. 

Por avokati Spartak Ngjela ngulmon tek realizimi i reformën në drejtësi. I ftuar në Ora News, ai thotë se nëse politika amerikane do të vazhdojë këtë reformë, palët politike nuk do të marrin pjesë fare në zgjedhjet e vitit 2021.

Ai thotë se nëse nuk do të zbatohet Kushtetuta, për palët politike nuk ka të ardhme.

Ngjela: Nuk i dëgjoj fare këta. Ne kemi shpresë tek reforma antikorrupsion. Përveç Hajdarit, këta të tjerët janë me probleme. Nëse politika amerikane dhe ajo e BE-së e lartë do të vazhdojnë reformën antikorrupsion, veç Rudina Hajdarit që ka qenë në ShBA, këta të tjerët do të kenë probleme. Nuk ma do mendja të jenë fare në zgjedhjet e 2021. Nuk na intereson problemi i tenderit. Këta të dy nuk bëjnë dot zgjedhje të lira sepse kanë futur duart në paratë e shtetit. Janë marrë me korrupsion. Kanë qenë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe tani janë drejt akuzës. Ambasadorja tha që janë bashkë dhe unë e besoj që janë bashkë. A do të ketë forcë që ta ndalojë reformën në drejtësi. Unë them jo sepse do ta bëjë politika amerikane. Ambasadorja është shefja e politikës amerikane. Me këta nuk shkohet në zgjedhje se nuk e lënë popullin të votojë. Janë dy palë që nuk kërkojnë votim të lirë. Po të kërkonin votim të lirë do kishin bërë atë që ka kërkuar ODIHR. Këta kërkojnë liri për manipulim. Jo kush të votohet më shumë por kush të manipulojë më shumë. Nuk kanë të ardhme politike sepse do jenë nën kontroll. Nëse do zbatohet Kushtetuta aktuale, nga 15 korriku deri më 15 shtator këtyre u fillon kontrolli, sa të fillojë punë BKH-ja. 

Damian Gjinkuri u shpreh se Partia Socialiste është për krijimin e një organi të KQZ-së që të jetë i qëndrueshëm ndërkohë sipas burimeve nga opozita bëhet e ditur se PS kërkon të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët, duke hequr çdo garanci për opozitën në nivelin më të lartë te administrimit të zgjedhjeve.

Avokati Ngjela shprehet se të gjithë procesin e zbatimit të reformës në drejtësi do ta realizojnë ndërkombëtarët pavarësisht se pala shqiptare ka të drejtën e firmës.

Ngjela: Të gjithë procesin do ta drejtojnë të huajt. Të drejtën e firmës dhe të drejtën e normalitetit juridik normalisht që e kanë shqiptarët. Por kontrollin do ta bëjnë ndërkombëtarët pasi ti ke kërkuar që të hysh në BE. Dhe në BE pa zgjedhje të lira nuk hyn dot. 

Palët e Këshillit Politik, kryesisht ata të opozitës jashtë parlamentare shprehen se mungon vullneti politik për të arritur reformën zgjedhore.

Ndërkohë avokati Ngjela thotë se vullneti politik nuk ka kuptim pasi këtu mungon forca e ligjit. Edhe nëse palët e shkelin ligjin në funksion të zgjedhjeve, ata nuk hyjnë në burg - shprehet avokati.

Gjithashtu rikthen në vëmendje dhe njëherë se BKH duhet të vendosë në funksion përgjimet e politikanëve.

Ngjela: Vullneti politik është nonsens, nuk flitet. Mungon forca e ligjit, pra këta shkelin ligjin në funksion të zgjedhjeve dhe si fut njeri në burg. Çkërkojnë ndërkombëtarët të bëjnë me ekspertizën e lartë. Të ndërronin pushtetin gjyqësor dhe nga ai i riu të dilte SPAK. Prej SPAK dhe BKH të fillojnë hetimet për të korruptuarit që tu dalin të palarat këtyre e dinë këta. Dhe këtu fillon forca e ligjit. Duhet të vijë BKH, të jetë me përgjim. Foli kryeministri shqiptar me një komisioner në një rreth, për 4 orë të përgjohet e për 4 orë të hyjë në burg. Foli Basha me një tjetër, u kap, për 5 orë të shkojë në burg. Kjo është forca e ligjit. Mungon forca shtrënguese e ligjit sepse nuk kemi pushtet gjyqësor. 

Pas mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi tha për gazetarët që PD ka propozuar një formulë emërimi për anëtarët e KQZ-së që është refuzuar nga PS. Ai shtoi se mazhoranca do të kapë tre organet e KQZ-së.

Por avokati Ngjela, duke mos e komentuar deklaratën e Bylykbashit u shpreh se ata nuk artikulojnë mendimin e tyre personal, janë kukulla të kryetarëve të partive përkatëse.

Ngjela: Nuk kanë aftësi logjike, nuk kanë aftësi artikuluese. E para janë kukulla. Nuk janë me mendimin e tyre. Njëri është i mendimin e Metës ndërsa tjetri me mendimin e Bashës dhe të Saliut. Rama, Basha dhe Meta, këta na qeverisin. Këta janë. E keni vënë re që triumfon mediokriteti në Shqipëri? Mediokriteti drejton në rangje të larta. I paafti merr të paaftin. Ne presim reformën në drejtësi, të funksionojë SPAK-u. Ka shpresë për vendosjen e ligjit. E patë si flisnin. Pa përgjegjësi fare ndaj popullit të tyre. Kush të jetë më i forti në manipulim, të dali e të fitojë. Nuk ka asnjë ide dhe asnjë koncept. 

Intervistoi në studio gazetarja Matilda Mcini, përgatiti për online Endi Mullaj

/Ora News.tv/