Përplasje në distancë mes avokatit Spartak Ngjela dhe këshilltarit të presidentit Ilir Meta lidhur me shkresën që u postua dje në media sipas të cilës ish prokurori Adriatik Llalla i shkruante Kongresit Amerikan ku shprehej se Lu i kishte kërkuar atij arrestimin e Ilir Metës, në kohën kur ishte kryetar i Parlamentit.

Ngjela shkruan se Meta detyron Llallën të gënjejë për ambasadorin amerikan, ndërsa Aleksi replikon: "Zëdhënësi i vetshpallur i FBI-së sot u konvertua në avokat mbrojtës të ish-kryeprokurorit Llalla!"

Spartak Ngjela: Ja se si është katandisur sot, në vitin 2018, injoranca e trembur e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë:
Meta detyron Llallën të gënjejë për ambasadorin amerikan, me qëllim që të provokojë politikën amerikane: menjëherë dolën bishtat injorantë të flisnin sikur ka pasur komplot kundër Metës. Domethënë, Amerika do të bëjë komplot kundër një gurthyesi shqiptar.

...
Tani që të tre, Berishën, Ramën dhe Metën, i kap Reforma në Drejtësi, në funksion të ligjit antikorrupsion. Eliminimi i gjyqtarëve të korruptuar po vijon si proces me emra konkretë, dhe njëherësh dallohet se po spikat edhe dorëheqja e mëtejme e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë.

Kryesore në këtë proces për pastrimin e gjyqësorit, është fakti se gjithçka po drejtohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Prandaj, paanësina dhe rreptësia në luftën anti korrupsion sigurisht që do jetë një vepër historikë për shqiptarët që, më në fund, po i hyjnë ngritjes së institucioneve të dhënies së drejtësisë dhe të vendosjes së moralitetit në qeverisjen shqiptare, sipas reformës së nisur.

Ndërsa këtu, na duhet të theksojmë atë që është më thelbësore: të tre këta, Berisha, Meta dhe Rama do të eliminohen nga skena politike e Shqipërisë, jo nga ndonjë revolucion apo grusht shteti i tipit leninist, por si pasojë e vendosjes së drejtësisë shoqërore dhe moralitetit në qeverisje. Dhe nuk kanë fare shpëtim, se kjo nuk është një shprehje gjuhësore, por është një tendencë historike pa kthim.

Emiljano Aleksi: Zëdhënësi i vetshpallur i FBI-së sot u konvertua në avokat mbrojtës të ish-kryeprokurorit Llalla! Por, nuk është kjo rruga për t’u bërë drejtor i SPAK-ut për të shlyer borxhet e jetës luksoze!




/Ora News.tv/