Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar kontradiktor raportin që komisioni i Venecias paraqiti mbi dekretin për anulimin e votimeve të 30 qershorit. Madje në një analizë të gjatë, Kreu i Shtetit nënvizon se me argument komisioni kalon kompetencat e gjykatës dhe të OSBE.  Sipas Metës, opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu.

I pabalancuar dhe kontradiktor. Kështu e ka vlerësuar Presidenti Meta draftin e opinionit të Komisionit të Venecias, lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Kreut të Shtetit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Përmes një letre drejtuar kryetarit të Komisionit Gianni Buquicchio, Presidenti Meta njofton se 8 pyetjet e Kuvendit futën në kurth përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.

Presidenti Meta: Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit. Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike.

Për Ilir Metën, projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias duke u mbivendosur mbi gjykatën dhe OSBE/ODIHR

Presidenti Meta:  Ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit.  Gjithashtu kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore. Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias.

Paqartësia e draft opinionit, sipas kreut të shteti i dha mundësi të gjitha palëve interpretime sipas interesave politike.

Presidenti Meta:  Ky projekt -opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu. Projekt-opinioni dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik.

Përveç përgjigjes për draft opinionin e Venecias Meta i ka drejtuar edhe 10 pyetje Buquicchios në lidhje me detyrat Kushtetuese të Presidentit. Ndërsa Nga Lezha shprehu edhe njëherë që ka mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë.

Presidenti nuk shkarkohet - Komisioni i Venecias në draft-opinionin paraprak dërguar Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës, konstatoi se Meta i tejkaloi kompetencat e tij duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Por pavarësisht kësaj tha se shkeljet nga Presidenti nuk ishin aq të rënda sa të kërkohej shkarkimi i tij.

Në draft-opinion u tërhoq edhe vëmendja se dekreti për 30 qershorin u publikua në Fletoren Zyrtare, ndërsa ai i datës 13 tetor nuk u kthye në një akt ligjor.

Madje u nënvizua se asnjë nga palët nuk kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese dekretet e Presidentit.

Në opinionin paraprak prej 19 faqesh që ju dërgua Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni rekomandoi që nga Komisioni të merren parasysh një sërë faktorësh duke përfshirë edhe thirrje të vazhdueshme të Presidentit Meta për dialog mes palëve.

Komisioni gjithashtu theksoi se pavarësisht anulimit të datës së zgjedhjeve, Presidenti nuk synoi ti shtynte ato pambarimisht.

/Ora News.tv/