Nesër nisin punën gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar

Nesër nisin punën gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi sot vendimin për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe disa vendime të tjera individuale për sistemimin në pozicion të gjyqtarëve të Gjykatave për Krimet e Rënda, të cilat nga dita e nesërme pushojnë së funksionuari si të tilla.

Me vendimmarrjet e sotme, Këshilli plotëson arkitekturën institucionale dhe mekanizmin kushtetues për luftimin e  korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në nivelet më të larta të shtetit.

Sipas vendimmarrjes së Këshillit, me 19 dhjetor fillon funksionimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPSHPKKO) dhe i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO).

Këshilli gjithashtu vendosi caktimin në pozicion të gjashtë gjyqtarëve në detyrë të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si më poshtë vijon:

Caktimin e përhershëm të gjyqtares Albana Boksi;

Caktimin e përhershëm të gjyqtares Nertina Kosova;

Caktimin e përhershëm të gjyqtares Saida Dollani;

Caktimin e përhershëm të gjyqtarit Dhimitër Lara;

Caktimin e përhershëm të gjyqtarit Sokol Binaj;

Caktimin e përkohshëm të gjyqtares Nure Dreni, për të cilën vijon procesi i rivlerësimit kalimtar.

Këshilli vendosi edhe caktimin e përkohshëm pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuartë dymbëdhjetë gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të cilët vijon procesi i rivlerësimit kalimtar apo nuk ka ende një vendim përfundimtar për konfirmimin në detyrë, si më poshtë vijon:

Gjyqtare Daniela Shirka;

Gjyqtare Etleva Dede;

Gjyqtare Flora Haredinaj;

Gjyqtare Ilirjana Olldashi;

Gjyqtare Irena Gjokaj;

Gjyqtare Marsela Balili;

Gjyqtare Miliana Muçaj;

Gjyqtar Ardit Mustafaj;

Gjyqtar Bib Ndreca;

Gjyqtar Fran Prendi;

Gjyqtar Klodian Kurushi;

Gjyqtar Sandër Simoni.

Më tej, Këshilli, në kushtet e pushimit së funksionuari të Gjykatave për Krimet e Rënda, vendosi transferimin e gjashtë gjyqtarëve, konkretisht Fehmi Petku, Gjovalin Përnoca, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti, Dhurata Haveri (të gjykatës së apelit) dhe Luan Hasneziri (i gjykatës së shkallës së parë), pranë disa gjykatave të apelit apo të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, duke filluar nga data 19.12.2019 dhe deri në përfundimin për ata të procesit të rivlerësimit kalimtar përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku në rast të konfirmimit në detyrë nga ky i fundit, gjyqtarëte transferuar gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për t'u transferuar në çdo pozicion që do të jetë i lirë në atë moment apo që pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve, respektivisht në gjykatat e apelit apo të shkallës së parë me juridiksionin të përgjithshëm.

Në përfundim po për shkak të pushimit të funksionimit të Gjykatave për Krimet e Rënda, Këshilli vendosi edhe transferimin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda z.Dritan Hallunaj, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë ushtrimin e të cilës e fillon pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë të Tiranës.

Gjatë kësaj periudhe, duke qënë se vijon të ruajë statusin e magjistratit, ky gjyqtar duhet të jetë i caktuar në një pozicion në sistemin gjyqësor.

EMISIONET