Ndryshimi i sistemit, ngërçi i reformës zgjedhore

Ndryshimi i sistemit, ngërçi i reformës zgjedhore

Partia Socialiste nuk ka pranuar propozimet e opozitës së re për të ndryshuar sistemin zgjedhor, të paktën në fazën e parë të diskutimeve në Komisionin e Posaçëm. Damian Gjiknuri ka theksuar se ekspertët do të duhet të paraqesin propozimet teknike brenda 10 ditëve bazuar mbi rekomandimet e OSBE. Ndërsa Rudina Hajdari nënvizon kushtin e vendosur prej opozitës së re.

Presioni i ndërkombëtarëve ka vënë në lëvizje Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore për propozimet konkrete në ndryshimin e kodit elektoral.

PS dhe opozita e re i kanë lënë afat një javë ekspertëve për të sjellë propozimet në tryezë duke u bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Partia Socialiste kërkon të nxitojë me reformën duke e ndarë atë në dy faza,  por për këtë ka hasur në kundërshtinë e opozitës së re, votat e së cilës janë të domosdoshme për miratimin e ndryshimeve.

PS është gati të pranojë propozimet e PD që kanë lidhje me rekomandimet e OSBE-së, por burimet thanë për RTV Ora se selia blu nuk do të dërgojë asnjë draft pasi nuk e njohin si legjitim Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Gjiknuri: Meqenëse ne nuk e kemi PD në këtë tryezë, ata prapë nuk morën pjesë, ne të gjitha çështjet e diskutuara këtu do ti diskutojmë në një tavolinë më të gjerë edhe me përfaqësues të medias dhe PD apo kushdo që do të dëshirojë të marrë pjesë në mënyrë që çdo rekomandim i diskutuar i Komisionit të Reformës Zgjedhore të jetë i diskutuar edhe përtej këtij Komisioni.

Pyetje: Nëse bojkotojnë sërish, do miratohet me opozitën e re?

Gjiknuri: PD nuk ka sjellë propozime lidhur me çështjet zgjedhore. Në çdo draft që ne do të diskutojmë në Komision edhe ata kanë të drejtë të bëjnë propozime ashtu si shoqëria civile dhe aktorë të ndryshëm. Ne i kemi kërkuar PD të gjejë çdo lloj forme me komisionin e reformës zgjedhore, çdo lloj propozimi të saj edhe pa qenë pjesë e komisionit se me çfarë duket ata nuk e njohin, ne jemi të gatshëm që ato propozime që janë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR ti marrim në konsideratë dhe në fund të fundit gjëja realizohet. E rëndësishme është të kemi një produkt brenda rekomandimeve dhe i dakordësuar nga shumica.

Hajdari: Nuk do të ketë reformë me dy faza. Do të ketë reformë tërësore dhe për këtë kemi rënë dakord. Nuk na ndalon njeri të diskutojmë mbi çështjet e rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe nuk na ndalon njeri që të diskutojmë edhe për ndryshimin e sistemit. Kur të vijë momenti për miratimin do të miratohet bashkarisht.

Pakica parlamentare është e vendosur për të ndryshuar sistemin zgjedhor pavarësisht kohës që mund të marrë.

Propozimi i PD për një strukturë të posaçme për reformën zgjedhore nuk është marrë parasysh nga socialistët, pasi sipas tyre ky është një propozim politik dhe nuk ka lidhje me rekomandimet e OSBE-së.


EMISIONET