Konfiskim pasurish kriminale dhe në euro

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i ka kërkuar Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfiskimin e pasurisë së familjarëve të 5 shtetasve shqiptarë të cilët po hetohen në Holandë. 

Bëhet fjalë për 1 apartament, një garazh, një sipërfaqe toke në tiranë si dhe 3 mjete të cilat rezultojnë në pronësi të Adriatik dhe Lindita Memia, familjarë të Ilirjan Memia. Ky i fundit së bashku me Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe një shtetas holandez po hetohen për trafik të narkotikëve, pjesëmarrje në organizatë kriminale si dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale. 

Konfiskimi i këtyre pasurive që kapin vlerën në total 134 mijë euro është kërkuar pasi dyshohen se të ardhurat e përfitura nga aktiviteti kriminal i kanë transferuar në Shqipëri. 5 shqiptarët aktivitetin e tyre dyshohet se e ushtrojnë prej disa vitesh, duke trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe heroine, nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe më pas në vendet e tjera të Evropës, si Angli dhe Itali. 

Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë.

Nga ana tjetër Policia kufitare në Rinas ka zbuluar dhe sekuestruar 31400 euro, ndërsa dy poseduesit i ka proceduar penalisht me akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi. Rasti i parë është një person që po kthehej nga Turqia për në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të imtesishëm të bagazheve dhe kontrollit fizik të shtetasit turk shërbimet e policisë kufitare gjetën në çantën e dorës së tij shumën 12900 euro, të cilën nuk e deklaroi në momentin e hyrjes. 

Rasti i dytë është një person banues në Austri, i cili në momentin e hyrjes në territorin shqiptar nuk deklaroi shumën 18500 euro, që kishte fshehur në çantën e shpinës, e cila u zbulua nga kontrolli.


EMISIONET