"Negociatat s'janë dhuratë krishtlindjesh"

Për disa liderë të Bashkimit Europian, mohimi të premten i negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një gabim historik.

Por vendimi është mirëpritur nga forcat e ekstremit të djathtë në disa prej vendeve anëtare, mes tyre Franca dhe Gjermania.

Ultradjathtistët e "Alternativës për Gjermaninë" thanë të premten se politikanët dhe qytetarët e dy vendeve janë përgjegjës për refuzimin për të disatën herë.

"Edhe prezenca personale e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Berlin nuk i justifikon dot dyshimet e arsyeshme që kemi. Sa kohë që vendi, ndër të tjera, nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka për të pasur negociata. Anëtarësimi në BE nuk është dhuratë krishtlindjesh," deklaroi AFD-ja nëpërmjet deputetit të Bundestagut, Siegbert Droese.

Në Francë, partia e Marin Lë Pen, mbështeti veton e presidentit Emmanuel Macron për hapjen e negociatave.

Njësoj si homologët gjermanë, europarlamentarja Hélène Laportepërshëndeti qëndrimin e Parisit, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës, ndërsa e cilësoi fantazi pozicionin e Berlinit dhe Brukselit për negociatat.

"Për shkak të situatës ekonomike, të dyja vendet nuk kanë aftësinë të kontribuojnë në mënyrë suficitare në buxhetin e BE-së. Prandaj ne si parti bëjmë thirrje që të ndalen të gjitha proceset e anëtarësimit në BE, të cilat, duhet të kujtojmë, na kushtojnë miliarda euro çdo vit," tha përfaqësja franceze në Parlamentin Europian.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, gjithashtu përsëriti rezervat për negociatat me Shqipërinë, duke thënë se vendi duhet të adresojë shqetësimet e vendeve anëtare deri në vendimmarrjen tjetër.

EMISIONET