Kryetari i  parlamentit Gramoz Ruçi e quan fitore vendimin e Keshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për caktimin e një date për hapjen e negociatave me Shqipërinë në qershor 2019 dhe bën apel për të ndryshuar sjelljen dhe qasjen për të çuar në anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gramoz Ruçi: "Eshte fitore e të gjithëve dhe për të gjithë. Të gjithë duhet të bashkojmë mendjen, të ndryshojnë sjelljen dhe qasjen për tu përbashkuar dhe për të realizuar të gjitha objektivat dhe detyrimet jo vetëm deri në qershor por deri në momentin e anëtarësimit.
 

Por suksesi i kujt është vendimi i Këshillit Europian? 

Gramoz Ruçi thotë se kjo arritje është meritë e të gjithëve dhe shpreh vlerësimin e mirënjohjen për kontributin "europaist" të të gjithë paraardhësve përfshi dhe Jozefina Topallin dhe Ilir Meten.

"Ky vendim nuk është suksesi vetëm i Qeverisë, as i shumicës qeverisëse.

Kjo arritje është meritë e të gjitha qeverive dhe opozitave, partive politike, udhëheqësve të tyre, grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që kanë kontribuar në realizimin e aspiratës europiane të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit.

Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë shpreh vlerësimin e mirënjohjen për kontributin europaist të të gjithë paraardhësve që kanë shërbyer në këtë detyrë fisnike: Kastriot Islami, Pjetër Arbnori,  Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli dhe Ilir Meta.

Kjo arritje është meritë edhe juaja, të dashur miq gazetare dhe gazetarë, që kini nxitur klasën politike të Shqipërisë t’i qëndrojë besnike ëndrës europiane të shqiptarëve.

Meritë e rinisë dhe studentëve, nxitësve të ndryshimeve demokratike me vizionin “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.

Meritë e emigrantëve shqiptarë, që kanë arritur në Europë para nesh dhe jetojnë e kontribojnë si qytetarë europianë.

Meritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët si me mbështetjen, ashtu edhe me kundërshtimin ndaj qeverive dhe opozitave, na kanë bërë më të përgjegjshëm për fatet e Shqipërisë dhe më llogaridhënës para tyre."

Ruçi ndodhet në një konferencë me gazetarët lidhur me vendimin e KE për Shqipërinë. 




/Ora News.tv/