Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti po viziton Parisin, ku ka zhvilluar një takim takim edhe me presidentin Macron. 

Bisedimet Prishtinë-Beograd do të nisin me një takim të organizuar nga Franca dhe Gjermania me 10 korrik, dhe më pas do të ketë një takim mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç me 12 korrik në Bruksel. 

Profesori Shenasi Rama thotë për Rtv Ora se projekti për shkëmbim territoresh ka vdekur dhe pret që kjo të theksohet nga europianët dhe në këtë raund të ri negociatash.

Rama: Ajo çfarë pres nga këto bisedime është përpjekja e europianëve që me theksu se parimi në bazë të cilit duhet të rregullohen marrëdhëniet Serbi-Kosovë duhet të jetë një parim politik dhe jo një parim që kërkon rishikimin e kufijve shtetërorë. Të gjitha shtetet europiane, në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore kanë pasur shkëmbime territoresh, kanë humbur territore. Përpjekja me rishiku kufijtë është njësoj si me ja vu minat Europës.

 Projekti i asaj që po zbatohet në Shqipëri është i lidhur me këtë projekt të shpërbërjes së Europës, është një pjesë e atij projekti, i paraprin atij, prandaj Merkel dhe Macron që nuk kanë qenë shumë dashamirës ndaj SHBA, po kërkojnë të marrin iniciativën duke shpresuar që janë elementë si interesi ekonomik i Serbisë dhe Kosovës, struktura politike të ndërsjellta, ndërtimi i strukturave të nivelit të mesëm që do ketë përfitim për serbët siç është Zajednica por në të njëjtën kohë do të ruhet Kosova si entitet, do të jetë zgjidhja e duhur. 

Vizita e Hotit në Paris dhe fillimi i këtyre bisedimeve është një shenjë që edhe në Kosovë ka një rikonsiderim të pozitave të imponuara nga ajo strukturë okulte që arriti me influencu njerëz si Hashim Thaçin etj për të pranuar shkëmbime territoresh. Mendoj se ajo axhendë është e vdekur tani për tani, nuk i intereson askujt.

Ndërsa ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, deklaroi së fundmi se shkëmbimi i territoreve u propozua nga liderët e Kosovës e Serbisë, Rama thotë se nuk duhen marrë të mirëqëna çdo gjë që ai thotë sepse në fund është politikë.

Rama: Në kontekstin e sotëm SHBA kanë qenë dhe janë për ruajtjen e kufijve ekzistues, çdo ndryshim hap një kuti Pandore që është e papërballueshme nga çdo shtet. Kjo praktikë e ndryshimit të kufijve do të çonte në rishikimin e pozicionit strategjik të disa nga aleatëve kyç të SHBA në Europën Lindore. Ambasadori Bolton nuk është shenjt, jo doedomos duhet besuar çdo gjë që thotë. Është politikë. Realiteti është që në Ballkan ekziston një bosht politik  i lidhur mes parive të caktuara, të kontrolluara nga shërbime të veçanta apo struktura okulte, që kanë interes jetik me ndryshu parimet bazë në bazë të cilave funksionon  sistemi ndërkombëtar, një ndër to është parimi i sovranitetit dhe parimi i shenjtërisë së kufijve.

Sa i takon Hashim Thaçit, ai thotë se akzuat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria Speciale e mënjanuan nga politika për momentin por shton se ai do të vazhdojë të jetë gjatë në politikën shqiptare pasi siç thotë Rama, Thaçi është pragmatik.

Rama: Hashim Thaçi është pragmatik, e kam pasur shok dhe kam punuar gjatë me të. Hashim Thaçi është në politikën shqiptare, do të jetë për shumë kohë. Përfaqëson interesa shumë komplekse në Kosovë që nuk do të ndryshojnë brenda ditës. Ajo që ndodhi ishte një përpjekje për ta mënjanuar. Ai është pragmatik dhe nesër e kthen fletën menjëherë nga ana tjetër.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana

/Ora News.tv/