Presidenti Ilir Meta kërkon konsensus politik midis partive në vend në kuadër të çeljes së negociatave në muajin qershor. Nga qyteti i Korçës, Meta u shprehë se në radhë të parë, është qeveria përgjegjësja më e madhe.

Gjatë një interviste për televizionin lokal në Korçë, Meta sqaroi edhe vendimin për dhënien e nënshtetësisë ndaj Anastas Janullatos.

Pjesë nga intervista: 

Gazetarja: Do të kalojmë në një temë tjetër. Viti 2018 është përcaktuar si vit vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Duket sikur marrëdhëniet midis forcave politike nuk janë aq të favorshme, çka është dhe një nga kushtet bazë të BE-së. Sa dhe si do të ndikoni ju si President i Republikës së Shqipërisë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve dhe realizimin e kësaj aspirate gati 30-vjeçare të shqiptarëve?

Presidenti Meta: E gjithë jeta ime është e lidhur me integrimin evropian të Shqipërisë, që nga Lëvizja Studentore në dhjetor ‘90 ku bashkë me të gjithë bashkëmoshatarët e mi dolëm në këtë lëvizje me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Më pas në të gjithë aktivitetet, si Forumi i Rinisë Eurosocialiste që u krijua në ’92-shin. Më pas edhe një forcë e re politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe gjithçka i është dedikuar shërbimit të këtij projekti që natyrisht ka qenë për t’u realizuar shumë më i vështirë se çka unë kam menduar në fillimet e këtij angazhimi politik. Se kam menduar kurrë se Shqipëria në vitin 2017 do të jetë në këtë stad me BE-në.

Nëse në fillim të viteve ’90 dikush na thoshte që, do të bëheshim anëtarë të BE-së në 2005-ën na dukej si një deklaratë mjaft keqdashëse dhe dekurajuese, por proceset nuk kanë qenë të lehta sepse nuk kanë qenë të lehta dhe për vende të tjera.

Për fat të keq ne i kemi bërë pak më të vështira dhe për shkak të konfliktit të brendshëm edhe atyre interesave të ngushta që kanë dëmtuar një konsensus për disa çështje madhore që mund t’i kishin dhënë një fizionomi tjetër vendit tonë, institucioneve tona, besueshmërisë sonë. Megjithatë duhet të bërë gjithçka për të mos humbur këtë mundësi. Pra, mundësinë që në qershor të kemi një vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE-së sepse do të ishte një humbje e madhe në kohë, në shpresë, në inkurajimin e të rinjve, të intelektualëve për të qëndruar këtu, për të krijuar këtu dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet evropiane dhe të shkojnë ta kërkojnë Evropën në Evropë apo në vende të tjera.

Gazetarja: A mendoni se duhet një konsensus mes partive politike?

Presidenti Meta: Duhet të ketë patjetër. Kjo është përgjegjësi e dyanshme, është përgjegjësi e qeverisë sepse përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria gjithmonë. Pa dyshim është dhe një përgjegjësi e opozitës sepse ajo është opozita e Shqipërisë dhe ajo duhet të jetë në shërbim të vendit dhe nuk është thjesht në funksion të një kundërvënie ndaj qeverisë për çdo rast. Ka raste kur debatet janë të domosdoshme dhe kur debatet nuk krijojnë pasoja për vendin. Debatet për buxhetin nuk kanë asnjë problem sepse qeveria ka shumicën për ta kaluar buxhetin, por dhe rrisin transparencën dhe bëjnë më të qarta dallimet për politika ekonomike apo sociale, të ndryshme të qytetarëve. Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për t’u konfliktuar është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund.

****

Gazetarja: Ndërkohë, zoti President në mbyllje të vitit të kaluar ju kryet një akt i cili kishte munguar me vite me radhë. Të paktën kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në fakt politika e rangut të lartë e të dy vendeve e ka përshëndetur këtë veprim tuajin, por ka pasur edhe zëra kundër. A ka qenë kjo një lëvizje e duhur në momentin e duhur?

Presidenti Meta: Jam mjaft i bindur për aktin që kam bërë, i cili nuk ka qenë thjesh një akt procedural apo ligjor sepse në këtë drejtim Fortlumturia e Tij Janullatos i ka plotësuar kushtet ligjore prej shumë kohësh, por ka qenë dhe një akt publik, jo rastësisht në vigjilje të Krishtlindjeve për të shtuar edhe më shumë edhe gëzimin e të gjithë besimtarëve ortodoksë. Ishte një akt në radhë të parë si detyrim ndaj Kishës sonë Ortodokse Autoqefale, e cila është ringritur nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist nga këto 25 vite, dhe së dyti një detyrim nda gjithë besimtarëve tanë ortodoksë dhe natyrisht dhe një vlerësim për gjithçka është bërë në lidershipin e kësaj figure të ndritur.

Përsa i takon kundërshtimeve, paragjykimeve, ato janë mjaft absurde dhe ato nuk mund të na udhëheqin vendimet e mençura që duhet të ndërmarrim sepse jam i sigurt që në krye të kësaj kishe do të kishim pasur në vitin 1992 një italian apo një danez, do ta kishte marrë pasaportën shqiptare pa pritur 5 vjet, por që ditën e parë dhe të paragjykosh thjesht për shkak të origjinës një personalitet të këtyre përmasave, është tërësisht e papranueshme për një vend evropian. Jo vetëm për një vend evropian që ka një filozofi dhe një koncept tjetër për respektin ndaj besimeve dhe bashkëjetesën, por njëkohësisht për ne shqiptarët sepse ne jemi mirënjohës dhe duhet të tregojmë mirënjohjen tonë për atë transformim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur me Kishën Ortodokse Autoqefale në Shqipëri në 25 vjet. Kështu që, jam shumë i kënaqur për këtë akt që kemi bërë, dhe e theksoj përsëri që pas 20-30 vitesh do të kem përsëri një debat me grekët për këtë çështje, por pozita jonë do të jetë gjithmonë dhe më e fortë që Fortlumturia e Tij është shqiptar dhe do ta bëjmë edhe më shqiptar se sa jemi dhe ne për arsye sepse është një personalitet botëror, nuk është një personalitet thjesht fetar apo i ortodoksisë, por është një figurë e ndritur, është një filozof, një erudit që respektohet në të gjithë botën. Falë kësaj besueshmërie të tij është arritur ajo mbështetje e jashtëzakonshme për rindërtimin gati të 200 kishave të shkatërruara, të rrënuara, gati 150 të tjerave nga e para. Kujtojmë këtu Katedralen në qendër të Tiranës. Nuk ka në qendër të Tiranës vepër më të madhe në shërbim të qytetit, të jetës kulturore. Është bërë Pallati i Kulturës në kohën e marrëdhënieve më Bashkimin Sovjetik. Është bërë Pallati i Kongreseve në vitet ’80. Është Katedralja e Kishës Ortodokse Autoqefale, e cila është dhe një qendër kulturore që ofron aktivitete nga më të jashtëzakonshmet, më të larmishmet për të gjithë komunitetin, për të gjithë jetën kulturore, artistike, publike në vend dhe nuk është vetëm në shërbim të besimtarëve ortodoksë.

Gazetarja: Zoti Meta me ardhjen tuaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka qenë një kërkesë e përsëritur nga ana e Kryepeshkopit Janullatos për shtetësinë shqiptare apo keni qenë ju ai që e keni nxjerrë nga sirtarët këtë kërkesë?

Presidenti Meta: E vërteta është që ka qenë një kërkesë, por një kërkesë formale, sepse kërkesa ka qenë e depozituar prej kohësh. Ajo që unë dua të saktësoj është që, nuk ka patur një refuzim nga paraardhësit e mi të kësaj kërkesë, sepse ka dhe raste kur kërkesa refuzohet…

Gazetarja: Nuk ka pasur dhe një përgjigje. 

Presidenti Meta: ...por nuk ka pasur një dekretim. Pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë që të firmosja një dekret, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por nga të gjithë qytetarët, nga të gjithë ata që besojnë në Zot, sepse Zoti është një, pavarësisht besimeve të ndryshme dhe ata që luten për paqe, bashkëjetesë dhe harmoni.



/Ora News.tv/