Negociatat, Maqedonia e Veriut: Të ecim me Shqipërinë drejt BE

Negociatat, Maqedonia e Veriut: Të ecim me Shqipërinë drejt BE

Ministrja e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Renata Deskoska, ka folur në “Ministralin e Drejtësisë” në Tiranë ku është ndalur te bashkëpunimi që ka pasur me homologen shqiptare Etilda Gjonaj lidhur me procesin “Screening”, fazë kjo e rëndësishme për integrimin në BE.  

Duke vlerësuar punën e bërë në këtë drejtim nga Ministria e Drejtësisë, Deskoska shprehu pritshmëritë e vendit të saj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë së bashku rrugëtimin drejt BE.

Ministrja Deskoska theksoi: “kur notojmë bashkë në të njëjtin det me të njëjtat vështirësi, do të jetë më e lehtë për secilin prej vendeve t’ia dalë. Me Etildën jemi takuar për herë të parë në Bruksel për procesin Screening dhe shpresoj shumë që edhe procesin e negocimit ta bëjmë gjithashtu së bashku për të ecur paralelisht. Sot vendet tona kanë një pëlqim me përqindje shumë të lartë ndaj BE-së. Në rast të një vendimi negativ do të ndikojë në uljen e pëlqimit, do të dekurajonte besimin e qytetarëve në vendet tona”. 

Në fjalën e saj ajo përmendi edhe sfidat e përbashkëta mes dy vendeve:

“Të njëjtat sfida si të Shqipërisë, ka edhe Maqedonia e Veriut, por rekomandimet janë të ndryshme për ne. Edhe neve kemi pasur një diskutim për të vazhduar me procesin e vettingut të gjyqësorit, por nga rekomandimet që na janë bërë, kemi vlerësuar se ky proces nuk rekomandohet për Maqedoninë e Veriut. Ndaj, ne kemi miratuar një strategji për gjyqësorin e cila është miratuar edhe nga Bashkimi Europian dhe është sipas standardeve të BE-së”, -tha ndër të tjera ministrja e vendit fqinj.

EMISIONET