Mazhorancës socialiste i kanë mbetur edhe katër  vota të tjera për ti siguruar nëmënyrë që të kalojë kodi i ri zgjedhor në Kuvend.

Kryeministri Rama do të ketë sot një takim  në Kuvend në orën 19:00 me tre krerët e grupeve parlamentare opozitare, të cilët qartazi e kanë kushtëzuar votën e tyre me ndryshimin e sistemit, ose minimumi hapjen e listave.

Në konferencën për mediat para këtij takimi, Rama në përgjigje të pyetjes së gazetares së Rtv Ora, Fjorela Beleshi, tha se do të synohet të gjendet një mirëkuptim sa më i gjerë për të siguruar votat që cilat pranoi se PS nuk i ka.

Ai kujtoi se këta deputetë janë produkt i Bashës dhe Kryemadhit, madje duke shtuar se me lista të hapura mund ti kemi sërish në Kuvend.

Por Kryeministri nuk e fshehu lodhjen nga "lista e dëshirave" e dy opozitave, duke u shprehur se PS është në pozicionin që nuk kërkon asgjë por vetëm ka "detyrimin" që të japë çfarë kërkojnë të tjerët.

Marrëveshjes politike të 5 qershorit tha se nuk i ka marrë asnjë lloj kënaqësie, përveç faktit se miku i tij Lulzim Basha është qetësuar dhe çliruar nga frika e zgjedhjeve.

Edi Rama: Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë ndëqeveritare. Nuk ekzistojnë. E di që e dëgjoni dhe e përsërisni dhe ju, mos e përsërisni, nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare.E di që situata nuk është e qetë, ne kemi dakortësuar një marrëveshje, duhet që ajo marrëveshje të mos lëvizë.Sigurisht që e vetmja kënaqësi që kam marrë unë nga marrëveshja është kënaqësia e Lulit, rëndësi ka që u kënaq Luli dhe më shumë se kaq nuk ka asnjë kënaqësi tjetër për të marrë nga ajo marrëveshje sepse nuk reformon asgjë në sistem përsa i përket administrimit. 

Por qëllimi i marrëveshjes ishte pikërisht ky, nuk ishte pamundësia jonë për të shkuar përpara vetëm por ishte që të bashkoheshim të gjithë ne bashkë me gjithë botën për ta lehtësuar Lulzim Bashën dhe të tjerët pas tij nga frika e tmerrshme e zgjedhjeve dhe për ti thënë si e do ti, thuaj si e do që të mos kemi më llafe. Unë e di që do të kemi prapë llafe, se prapë do të fitojmë dhe ata prapë do të humbasin. Por sidoqoftë ne e bëmë këtë në funksion të një mesazhi paqeje dhe mesazhi ndërveprimi. Jam i bindur se shumë njerëz nuk janë dakord me mua, jam i bindur se shumë njerëz do të donin që ne të vazhdonim në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të realizonim objektivin tonë duke adresuar me të vërtetë rekomandimet e OSBE-ODIHR. 

Por edhe ata duhet ta kuptojnë që në këtë situatë për arsye të një nevoje për ta ndryshuar klimën ne duhet të bëjmë tonën, pastaj sa ndryshon kjo është një gjë që nuk e kemi vetëm ne në dorë dhe për të hequr çdo mundësi për tu gjetur sebepe ne dhamë dakortësinë. Sigurisht është një dakortësi që duhet të kalojë në parlament, e kam ndjekur që nuk duket të jetë fushë me lule. Por ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe duam që marrëveshjen ta votojmë. Pastaj nëse ka hapësira të tjera, për ti jo kënaqur, por për ti respektuar dhe dëgjuar dhe opozitarët në parlament  që në këtë rast nuk votojnë një ligj si gjithë ligjet e tjera por votojnë një ligj që lidhet drejtëpërdrejtë me statusin, me veten e tyre, me të nesërmen e tyre. Do të shikojmë, do të dëgjojmë dhe do të jemi konstruktivë. 

Besoj se është e mirë që të gjithë ne të kalojmë në një stad tjetër maturimi edhe për hir të njerëzve, edhe për hir të vendit nuk kemi pse bëjmë marrëveshje për të ndenjur kështu siç jemi nëpër ambasada.Të mblidhesh dhe të futesh në një ambasadë, që është ambasada më e rëndësishme për peshën, shtëpia e një mikut të madh, të rrish tre netë atje dhe të dalësh me marrëveshjen që ishim mirë ashtu siç ishim i bie që edhe ata që na hapën shtëpinë të thonë pse ua lamë tre ditë shtëpinë këtyre që të merren vesh kur këta paskan qenë mirë pa ardhur fare këtu. Sidoqoftë u bë mirë që u bë, e ndjej më të lehtësuar edhe mikun tim, kryetarin e PD, e shoh më të angazhuar për aritmetikën ekonomike dhe më pak të rënduar nga stresi, të paktën për momentin. Është pozitive. Pastaj të shohim. Nuk kam një përgjigje sot. Të shohim si do të ecim në mënyrë që të kalojmë në një mirëkuptim sa më të gjerë. 

Kjo punë erdhi që PS, partia më e madhe e vendit nuk paska të drejtë të kërkojë asgjë, paska vetëm detyrimin të shpërndajë karramele, llokume, ballokume dhe mish nga trupi i vet. Nuk mund të jetë kështu. Vetëm një gjë kam në fund, aman ju lutem kur flisni për deputetët që janë në parlament mos harroni që në radhë të parë ata janë deputetët e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Kush i sheh si persona që janë shfaqur aty nga rrugë të tjera dhe aq më tepër pastaj që janë shfaqur aty nga materniteti i Taulant Ballës thjesht harron historinë shumë të shkurtër.

Ata janë aty deputetë dhe deputete të zgjedhur nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Kur flasim për listat e hapura e di se shumica e shqiptarëve besojnë se janë një instrument çudibërës për të rritur cilësinë, demokracinë, zërin e pavarur etj, por nëse listat do të ishin të hapura në këtë rast ata deputetë që janë aty sot ishin pjesë e listës dhe do të votohej jo thjesht PD, PS dhe të tjerë por do të votohej dhe brenda tyre.Gjuzi apo ngjala, ky apo ajo?

Ne jemi këtu me përgjegjësinë që ta çojmë përpara këtë proces, që ta mbyllim dhe patjetër që ta mbyllim në mënyrë të ndershme, të drejtë, dinjitoze jo duke u futur në historira kap njërin dhe kap tjetrin.Nuk shkon që në rrugë të bësh konsensus dhe në parlament të shkosh me shpatë pa llgaritur që ka edhe të tjerë aty, aq më tepër që  votat ne nuk i kemi dhe duhet ti bëjmë. Nuk do të luftojmë thjesht në sensin aritmetik por do të luftojmë në radhë të parë për tu kuptuar dhe mirëkuptuar me të tjerë, sa do ta dalim është një gjë që do ta shikojmë. Mos e paçi kurrë fatin në këtë rast, për këtë situatë të jeni në vendin tim që nga të gjitha anët bjer e bjer, jep jep jep.

 

/Ora News.tv/