Në çadra dhe hambare bagëtish, “BOOM” paraqet situatën post-tërmet në Pezë, Prezë dhe në Bubq

Në çadra dhe hambare bagëtish, “BOOM” paraqet

Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora solli ditën e sotme një vëzhgim mbi situatën në Pezë, në Prezë dhe në Bubq, zona këto që u prekën nga lëkundjet e tërmetit i cili shkaktoi dëme në banesa.

Shumë banorë janë strehuar nëpër çadra të improvizuara, nëpër hambare bagëtish ndërsa shumë të tjerë qëndrojnë ende në banesa të cilat kanë ndërtimet serioze.

Duket se problematikat kryesore të këtyre banorëve janë mos pajisja me ndihmat e nevojshme si dhe mos pajisjen me ushqim nga autoritetet përkatëse.

Kjo është situata në Pezë

Familja 1

Banori: Ishte shumë i tmerrshëm. Shumë goditje,nga poshtë-lart. I ka shkatërruar si shtëpi, fare.

Gazetari: Kush fle këtu në këtë çadër?

Banori: Flemë tre vetë, unë ,nusja dhe djali tjetër. Ai tjetri nuk ka çadër. Ka shkuar te vjehrri i vet se nuk kam ku të mbaj fëmijën e vogël. Kam marrë një batanije dopio, një jorgan tek dhe tre batanije të vogla. Nuk na mjaftojnë,  jemi gjashtë pjesëtarë.

Banorja: Kështu na ra, mirë që mbijetuam vetë .

Familja 2

 E bija: Babi me mamin kanë tre ditë që flenë te bari i lopës. Të paktën një çadër mund t’ua sjellin.

E bija tjetër: Ku ta ziejë groshëm mami? Ata duan një pjatë supë.

Gazetari: Zonjë, je pangrënë?

Banorja: Po. Dy çapa që të pi ilacet.

Familja 3

Banori: Në çadër. Është shumë ftohtë.

Banori: 12 veta në çadër.

Fëmija: Kemi shumë ftohtë. Kemi frikë.

Familja 4

Banorja: Si gjithë të tjerët.

Gazetari i “BOOM” iu drejtua administratorit të Njësisë Pezë.

Besmir Kola: Kemi 40 raste shtëpish që janë bërë të pabanueshme. Kemi ngritur çadra. Kemi siguruar bazën ushqimore dhe batanije për fazën e parë.

Pas vëzhgimit në Pezë, stafi i “BOOM” shkoi drejt Prezës ku e njëjta situatë paraqitet edhe aty.

Vihet re gjithashtu mungesa e çadrave për banorët si dhe e ndihmave me batanije për të përballuar të ftohtin.

Gjithashtu nga Njësia Administrative Prezë pritet të vijë konfirmimi për çadrat familjare.

Situata në Prezë

Familja 1

Banorja: Çadrën e kemi marrë në mes të rrugës se e kishin vënë për gjithë lagjen. E morëm meqë kishim pesë fëmijë të vegjël.

Gazetari: Ju kanë sjellë batanije?

Banorja: Mos mor djalë! Asgjë!

Gazetari: Institucionet kanë treguar vëmendje?

Banori: Po ja, përderisa jemi me një çadër...

Familja 2

Të moshuarit: Kemi bërë kërkesë për çadër. Të paktën të flemë aty jashtë, të mos flemë me frikë. Absolutisht asgjë! Kush vjen këtu te shtëpia jonë?

Administratori i Njësisë Prezë: Bashkia pret konfirmimin që të vijnë çadra. U munduam që të vëmë çadra kolektive, por nuk pranojnë banorët për arsye se nuk duan të lënë shtëpitë. Duan çadra familjare. Familje të dëmtuara kemi patur 62. Katër çadra janë sjellë gjithësej. Janë edhe 58 familje që kanë nevojë për çadra.

 Ndërsa ndalesa e fundit e “BOOM” ishte në Bubq ku kemi të njëjtën situatë.

Madje shumë banorë pranojnë se ndarja e ndihmave bëhet me njohje dhe në mënyrë të padrejtë.

Ata kërkojnë nga autoritetet organizim dhe barazi.

BUBQ

Banori 1: Ky  (në makinë) është vendi ku jetojnë fëmijët e mi. Katër ditë. Kanë sjellë nga një sanduiç, gjëra kalimtare. Nuk kanë prurë as ndihma e asgjë.

Banori 2: Na ndihmoftë shteti tani se unë s’kam as moshë.

Banori 3: Është katastrofë e madhe. Si shtëpia ime ka me qindra.

Banorja 4: Ndahen me mik.

 Banori 5: Nuk kemi marrë ndihma. Nuk janë shpërndarë akoma.

Banori 6: Kam nevojë për një çadër. Kanë ardhur pesë copë. Kujt do t’i jepen më parë?

Banori 7: Të paktën të më japë të mbulohem. Vetëm për batanije.

Banori 8: Unë të kam mik ty, ti do futesh e ti jo. Po bëhen padrejtësi. Kërkojmë organizim. Çdo gjë të ndahet për të gjithë.

Administratori i Bubqit:  Ka shumë mjafueshëm. Ndihmat i magazinojmë këtu e i shpërndajmë. Janë me shumicë. Ka batanije. Magazina është plot.

Banori 9: Ndihmat që kanë ardhur janë kryesisht nga Kosova. I bëj thirrje shtetit që të mbahet drejtësia për këto gjëra që vijnë këtu.

Emisioni “BOOM” i bën apel qytetarëve të cilët kanë mundësi të ndihmojnë ato familje të cilët nuk kanë arritur të marrin ndihma nga autoritetet përkatëse.

Shumë familje kanë marrë disa herë ndërsa disa të tjerë nuk kanë marrë asgjë.

EMISIONET