Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë, duke i bërë thirrje që t'i bashkohen atij në datën 2 mars, për ti dhënë paralajmërimin e fundit mazhorancës.

Në një status në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se kokëfortësia e qeverisë për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti

"Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie. Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" t'i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit", shkruan Meta.

Duke e konsideruar 2 marsin Besëlidhjen e Re, Presidenti Meta thotë se nuk do lejojë që t'i dorëzohet mafies ndërkombëtare  e ardhmja e Atdheut tonë.

"Nuk ka forcë në botë t'i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t'ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t'ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve!"

Ftesa e Presidentit Meta për në 2 mars u bë një ditë më parë në një konferencë, i cili bëri të ditur se në Bulevardin Dëshmorët e Kombit do të firmosë një dekret të rëndësishëm për çmontimin e këtij grushti shteti.

Ai e konsideroi parlamentin jo legjitim, ndërsa më parë ka bërë të ditur se atë do e shpërndajë populli. Meta publikoi të tjera prova që sipas tij vërtetojnë tentativën e mazhorancës për grusht shteti.

Lexoni edhe: 

Meta më 2 mars thërret popullin në bulevard, nis shpartallimi i grushtit të shtetit. Rama të porosisë poture të gjëra

/Ora News.tv/