Ndryshon skema e ndihmës ekonomike

Ndryshon skema e ndihmës ekonomike

Këshillat e Bashkive në Shqipëri nuk do të kenë të drejtë që të përzgjedhin  familjet në nevojë  që përfitojnë ndihme ekonomike.

Në bazë të projektligjit të ri i cili tashmë është hedhur për konsultim parashikohet që ndihma ekonomike tashmë do të jetë një e drejtë vetëm e shërbimit  Social Shtetëror.

Deri më tani vendimmarrja e Këshillit Bashkiak kufizohej vetëm në propozimin e familjeve aplikuese, ndërkohë që vendimi për familjet përfituese nga sistemi i pikëzimit nuk përfshin të gjitha familjet aplikuese.

Shpesh herë Këshilli Bashkiak ka penguar shpërndarjen në kohë të ndihmës ekonomike jo vetëm për përfituesit nën juridiksionin e kësaj bashkie por për të gjithë qarkun.

Po ashtu në projektligj  anashkalohet vendimmarrja e Këshillit Bashkiak për pagesat e aftësisë së kufizuar, për shkak se kjo e drejtë i jepet individit në bazë të vlerësimit të komisionit të posaçëm për vlerësimin e aftësisë së kufizuar.

Ndër të tjera drafti i cili pritet të kaloj së shpejti në parlament parashikon edhe përjashtimin nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë një vjeçare familjet të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, nëse punësohet dhe ndërpret marrdhëniet e punës pa  shkaqe të arsyeshme,ose nëse  ka kryer dy ose më shumë deklarime të rreme.

Projektligji ka si synim që të  shmang abuzivitetin në skemën e ndihmës ekonomike duke nxitur qytetarët të përfshihen në programe formimi profesional për të marrë një profesion, përfshirjen në programe këshillimi për punësim, si edhe punësimin e tyre përmes ofertave të punës që disponojnë zyrat e punës.

EMISIONET