Ndotja në Sukth, banorët në protestë: "E kemi votuar Dakon e Ramën, ata nuk interesohen"

Ndotja në Sukth, banorët në protestë: "E kemi votuar

Banorët e Sukthit protestuan kundër ndotjes mjedisore që vjen si pasojë e djegies së mbetjeve në terren të hapur. Ata akuzojnë pushtetin lokal për situatën e krijuar, duke theksuar se jetojnë në kushte të tilla prej më shumë se 15 vitesh. Sipas tyre, tymi dhe mbetjet toksike pushtojnë të gjithë zonën, duke vrarë në heshtje banorët e qendrës administrative të Sukthit që mbulon disa fshatra. Banorët tregojnë video nga ndotja mjedisore që shkaktohet nga djegia e mbeturinave.

Ata akuzojnë kryebashkiakun Dako për videon e publikuar nga Berisha, pasi sipas tyre është e vërtetë,se janë vetë ata që ia kanë dërguar ish kryeministrit të vendit atë video, sepse nuk gjenin asnjë mnbështetje dhe ankesat e tyre binin në vesh të shurdhët.

Banor: "Shteti nuk pyet fare për njerëzit. Ne e kemi votuar. 20 makina kanë dalë me flamuj, kanë pritur Edi Ramën në Vorë dhe sot Edi Rama nuk interesohet fare."

Banor: "Sot jemi mbledhur për t'i thënë kryetarit të bashkisë të marrë masa urgjente se populli është në panik."

Banor: "Shqetësimi ynë nuk është vetëm sot, por sot e 15 vjet. Është djegia e mbeturinave dhe nuk është se nuk jemi ankuar. Jemi ankuar pa fund, përditë, por, si gjithmonë, fjala në vesh të shurdhët."

Një ditë më parë, protestuan për të njëjtën arsye studentët e universitetit 'Aleksandër Moisiu' në Durrës.

Bashkia e madhe e Durrësit ka tre pika të nxehta: vendgrumbullimin e Porto Romanos, atë të Sukthit dhe një në Manëz. Situata ka mbi 15 vite në të tilla kushte dhe Durrësi konsiderohet ndër qytetet më të ndotura në vend.

EMISIONET