Presidenti, Ilir Meta, i akordoi në një ceremoni të veçantë, ish-kryeministrit të Republikës Italiane, zotit Massimo D’Alema, Dekoratën “Nënë Tereza”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryeministri   Edi Rama, Ministri për Punët e Jashtme dhe Evropën,   Ditmir Bushati, deputetë, ish-ministra, përfaqësues të trupit diplomatik. 

Ish-kryeministrit  Italian, Massimo D’Alema, i është akorduar dekorata “Nënë Tereza”, nga presidenti Ilir Meta.  

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen z. D’Alema për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme në procesin e integrimit euroatlantik dhe evropian të Shqipërisë.

Meta: "Miqësia e Massimo D’Alemës me përfaqësues të gjithë spektrit politik në Shqipëri nuk është e rastësishme, pasi përkushtimi i tij në mbështetje të vendit tonë është bazuar në interesat afatgjatë të dy vendeve dhe popujve tanë".

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe mbështetjen që Qeveria e drejtuar nga z. D’Alema dha për ndalimin e genocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë. 

“Massimo D’Alema do të mbante pozicione kyçe në politikën dhe qeverinë italiane në momente të vështira të historisë sonë, në kohën e ndërhyrjes së NATO për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë dhe pastrimit etnik. Ndonëse me kundërshtime të forta brenda koalicionit të së majtës që drejtonte Italinë, Qeveria e tij luajti rol kryesor në mbështetjen e aksionit historik të NATO-s që kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon”, – shtoi Presidenti i Republikës.

/Ora News.tv/