Pas katër ditësh bisedimesh intensive mes aktorëve politikë të mazhorancës dhe opozitës, si dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është arritur marrëveshja për Reformën Zgjedhore. Të premten në mbrëmje u mblodh Këshilli Politik, tryeza ndërpartiake e ngritur për të realizuar draftin e Reformës Zgjedhore me përfshirjen e opozitës jashtë parlamentare, nga ku palët dolën të dakortësuara më një marrëveshje për miratimin e reformës zgjedhore.

Në pikat e kësaj marrëveshjeje palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votimin më shumë se një herë. Sa i përket administratës zgjedhore në zgjedhje, për zgjedhjet e ardhshme komisionet do të mbeten siç janë aktualisht, ndërsa është rënë dakord për riformatimin e KQZ.

Gjithashtu palët kanë rënë dakord që drafti i marrëveshjes të votohet në Kuvend pa ndryshime. Në përfundim të mbledhjes, përfaqësuesit e PD dhe LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili deklaruan se kanë arritur dakordësi me mazhorancën për administrimin zgjedhor.

Ndërsa nga pala e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri u shpreh se lajmi i mirë është arritja e marrëveshjes dhe se zgjedhjet nuk do të mbahen peng. Përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, tha se për këtë Reformë duheshin përfshirë edhe elementë të tjerë, si ndryshimi i sistemit, kërkesë e saj permanente në Këshillin Politik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një reagim në rrjetet sociale tha se sot është hedhur një hap përpara për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se kjo marrëveshje u arrit pas 3 vjetësh marshim dhe 3 netësh ngujim të opozitës.

Për Ramën e rëndësishme është që Basha të hyjë në zgjedhje. Nga ana e tij Presidenti Ilir Meta ka përgëzuar Këshillin Politik për dakordësimin, por u shpreh se edhe pse një lajm i gëzuar, nuk është i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.


/Ora News.tv/