Hysni Mubarak, ish-presidenti i Egjiptit që udhëhoqi vendin për tridhjetë vite, ka ndërruar jetë pas disa viteve në gjendje të rënduar shëndetësore. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011 gjatë revolucionit të Pranverës Arabe, por do lirohej nga akuzat e vrasjes në bashkëpunim, pas burgimit të përjetshëm.

Një nga presidentët më jetëgjatë të Egjiptit, Hysni Mubarak, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Ish-kryetari i shtetit që udhëhoqi vendin për tri dekada me radhë prej vitesh qëndronte i shtruar në spital me gjendje shëndetësore të rënduar.

Ai i ishte nënshtruar kirurgjisë disa javë më parë.

Mubarak njihej si aleat i patundur i SHBA-së, kundërshtar i grupeve të armatosura dhe gardian i paqes së Egjiptit me Izraelin.

Por për miliona të rinj egjiptianë, trashëgimia e tij politike karakterizohej edhe nga korrupsioni, shtypja e rivalëve politikë dhe problemet ekonomike.

Ish-piloti i forcave ajrore do e mbante pushtetin nga viti 1981 deri më 11 shkurt 2011, kur revolucioni popullor i njohur si Pranvera Arabe do e largonte atë dhe një sërë regjimesh autokrate në botën arabe.

Revolta 18-ditore në Kajro shkaktoi disa viktima për të cilat Mubarak do të mbahej përgjegjës dhe do dënohej me burgim të përjetshëm, vetëm për të fituar pafajësinë në vitin 2017.

Mubarak ishte presidenti i katërt i Egjiptit i zgjedhur në plebishit pas atentatit ndaj paraardhësit të tij.

/Ora News.tv/