Kryetari i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi deklaroi se i kanë bërë të qartë kryeministrit Rama se nuk mund të kalojë në Kuvend reformën zgjedhore me vota të trafikuara.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes me Kryeministrin që zgjati gati dy orë, Murrizi foli për tentativa për trafikim votash dhe nga opozita e bashkuar.

Murrizi: Harroje që mund të kalosh një reformë zgjedhore me vota të trafikuara në parlament. Trafikimi nuk është vetëm aset i kryeministrit Rama por është bërë një aset dhe i partive të tjera pjesëmarrëse në Këshillin Politik që kanë interes për të kaluar këtë reformë. Unë e di që duhen 84 vota. Rama ka tani vetëm 77 mandate. Nuk besoj që të ketë bilbilush që kyçen 3 orë në seli të pallatit të Kongreseve dhe 12 orë në një rezidencë të ambasadës për të gatuar një gjellë që mund ta hamë me lugën dhe pa e kontrolluar se çfarë është. Unë kam hall që të gatuajnë një gjellë të mirë për shqiptarët. 

Gjithashtu ai pranoi se opozita parlamentare do të ketë radikalizim të veprimeve të tyre.

Murrizi: Do të ketë radikalizim. Ne do të fillojmë në komision të reformës zgjedhore se jemi 7 me 7 të vendosim kushte dhe sanksione në interes të atyre që kërkojnë shqiptarët. Raporti i komisionit të reformës zgjedhore do të vijë në parlament. Nuk do të votojmë nëse nuk futen në atë raport. 

Hapja e listave dhe administratë zgjedhore jo politike, janë dy kushtet e panegociueshme të opozitës parlamentare.


/Ora News.tv/