Mposhtën Kamzën me përmbysje, Lika: Ne jemi Vllaznia!

Mposhtën Kamzën me përmbysje, Lika: Ne jemi Vllaznia!

Vllaznia hodhi një hap të madh drejt fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Shkodranët mposhtën me përmbysje 2-1 Kamzën, duke bërë që kalimi në fazën tjetër të jetë më i arritshëm. Paraqitja ndaj kryeqytetasve është vlerësuar edhe nga trajneri i kuqebluve, Hasan Lika, i cili pas takimit u shpreh se kualifikimi ende nuk është vendosur, ndërsa shtoi se tifozët duhet të jenë gjithmonë në stadium në përkrahje të ekipit.

"Besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë. Kjo është më e rëndësishmja. Ndoshta ndeshja mund të merrte edhe karakter tjetër, domethënë mund të fitonte edhe kundërshtari.  Por besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë dhe merituam atë që morëm."

Mund të ishte më i thellë rezultati. Ju vjen keq?

Sigurisht. Në një ndeshje Kupe është shumë e rëndësishme. Është i rëndësishëm goli, ashtu siç edhe nuk duhet të pësojmë. Morëm gol në një moment më të mirë, sigurisht edhe për meritë të kundërshtarit, i cili shfrytëzoi një kundërsulm. Sigurisht që na vendosi disi në presion, duke na bërë të ndryshojmë. Kemi ushtruar presion dhe çka është më e rëndësishme, besoj se futbollistët kanë dhënë maksimumin.

Hap përpara drejt kualifikimit?

I kemi thënë dhe skuadrës se kualifikimi nuk përfundon në Shkodër. Kualifikimi mbaron në Kamëz dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi edhe një ndeshje tjetër dhe çdo gjë do të vendoset në 90 minutëshin e fundit.

Tifozët?

Ka qënë shumë e rëndësishme që tifozët ta përkrahin skuadrën sepse e panë sot se skuadra dha maksimumin e mundësive të saj. Luajtëm me shumë zemër, me shumë dëshirë dhe zhvilluam një ndeshje të mirë. Unë e kam thënë edhe më përpara që detyra jonë është që t'i kthejmë tifozët shkodranë në shkallët e stadiumit. Është detyra jonë me lojëra të mira dhe rezultate pozitive. Më vjen mirë që sot zhvilluam një ndeshje të mirë dhe u përkrahëm nga tifozët, të cilët asnjëherë nuk kanë munguar.

Rruga drejt Superiores?

Mendoj se në një farë mënyre u shpërblye ajo që thamë dje: se ne jemi Vllaznia, kështu që nuk është çudi që të mundim një skuadër të Superiores. "-përfundoi Lika.


EMISIONET