Moti i keq që ka mbërthyer Italinë ka shkaktuar 12 viktima në perëndim dhe në veri të vendit. Në Venecia, zyrtarët thonë se 75% e qendrës historike vijon të jetë e përmbytur. Nga stuhitë është ndikuar edhe ishulli i Korsikës, ku mbi 200 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike.

Italia është goditur nga erëra të forta dhe shira të dendur që deri tani kanë shkaktuar 12 viktima në perëndim dhe në veri të vendit.

Shkollat dhe pikat turistike janë mbyllur në disa rajone për shkak të shqetësimeve me sigurinë.

Erërat me shpejtësi deri në 180km/h dhe dy vorbulla ajri goditën qytezën qendrore të Terracina-s, duke shkaktuar një viktimë dhe plagosur dhjetë të tjerë.

Nga moti i keq është prekur dhe qyteti i Venicas, ku zyrtarët thonë se 75% e qendrës historike është e përmbytur.

Në rajonin e Venetos, lumi Piave doli nga shtrati dhe përmbyti sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore.

Erërat e forta me fuqi mbi 150 kilometra në orë dhe shirat e rrëmbyer prekën edhe ishullin e Korsikës.

Shumë pemë janë rrëzuar ndërsa mbi 200 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike.

/Ora News.tv/