Mosmarrëveshja Athinë-Shkup, 60% e grekëve kërkon referendum

Mosmarrëveshja Athinë-Shkup, 60% e grekëve kërkon referendum

Në kohën që qeveria greke vazhdon të jetë optimiste për një zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjes me Maqedoninë për çështjen e emrit, opinioni publik në Greqi duket se mendon ndryshe.

61% e qytetarëve janë shprehur se çdo formulë për zgjidhje duhet të kalojë më parë në referendum.

Shifra rezulton në një sondazh të publikuar të shtunën.

Edhe më e madhe, mbi 77%, është pjesa e qytetarëve që refuzojnë ekzistencën e fjalës “Maqedoni” në emrin që do të propozohet për zgjidhje.

Disi më i ekuilibruar është opinioni në çështjen e vazhdimit të negociatave, ku 50% shprehen “pro” dhe pjesa tjetër “kundër”. Qytetarët që mbështesin negociatat mendojnë se ekziston hapësira për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy palët.

Tendenca e qytetarëve për referendum shkakton kokëçarje për kryeministrin Tsipras, i cili ka mohuar me këmbëngulje një ide të tillë. Por mund të krijojë krisje edhe me aleatin qeveritar, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili para një jave u shpreh hapur në favor të referendumit.

Kryeministri Aleksis Tsipras përsëriti të premten në mbrëmje se ka një “dritare shansi” për t’u zgjidhur kjo çështje që po i vështirëson prej gati tri dekadash marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve fqinje.

Duke folur në mbledhjen e komitetit qendror të SYRIZA-s, Tsipras tha se qeveria do të vazhdojë të punojë për të arritur më të mirën e mundshme. “Qëndrimi ynë është i qartë: “kërkojmë me vendosmëri zgjidhjen e çështjes së emrit”, theksoi Tsipras, duke shtuar se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga të dy palët, për një emër të përbërë që do të përdoret kundrejt të gjithëve dhe nuk do të lejë asnjë gjasë për irredentizëm apo pretendime historikisht të pabazuara”.

Tsipras do të takohet më 24 janar me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev, siç bëri të ditur ky i fundit.

Tri ditë para këtij takim, të dielën, më 21 janar, organizata të ndryshme kanë paralajmëruar një tubim të madh në Selanik, me parrullë kryesore “identitetin grek të emrit Maqedoni”.

EMISIONET