"Mos ma prek Zagorinë", ambjentalistët kundër kërkimeve për naftë

Edhe pse kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë se nuk do të zhvillohet shpim naftëkërkues në Zagori, sërish ambjentalistët kanë protestuar sot në kryeqytet në mbrojtje të zonës së mbrojtur.

Me parullën "Mos ma prek Zagorinë", ata kërkojnë ndalimin e çdo projekti për kërkim nafte në zonë.

Protestuesi: Në kanionin e Holtës është bërë një dëm i madh. Ndërtimet që janë bërë janë dikur 150 metra larg. Kanë vendosur bllokada prej betoni dhe një mur. Është një dëm, po ai dëm mund të rikuperohet brenda një jave. Krahina e Zagorisë ndërkohë është një zonë që duhet të mbrohet. Përmbledh të dy qytetet, Gjirokastrën dhe Përmetin.Nuk duhet lejuar kjo batërdi. Banorët do ta mbrojnë me jetën e tyre. Janë pasuri kombëtare dhe duhet ti themi stop kësaj masakre.

Të enjten, përfaqësues të kompanisë Shell thanë se Parku Kombëtar i Zagorisë nuk do të dëmtohet nga kërkimet për naftë.

Drejtori për Shqipërinë tha se pajisjet që do përdoren nuk kanë impakt në mjedis ndërsa shtoi se zona e mbrojtur nuk do të preket.

Ndërkaq Akademia e Shkencave organizoi një forum me ambientalistët që shprehën shqetësim për projektin.

Plani për kërkime nafte është pritur me protesta nga banorët e zonës, duke u shprehur se nuk mund të ketë në të njëjtën kohë dhe turizëm dhe kërkim për naftë.

Klikoni këtu për të parë fotogalerine


EMISIONET