Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, paraditen e sotme, Kryeministri Edi Rama e quajti 'shkelje kushtetuese" nga ana e presidentit Meta mos dekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Nuk kaloi shumë kohë dhe nga presidenca erdhi reagimi.

Përmes zëdhënësit të këtij institucionit, Tedi Blushi mesazhi që  i përcillet kryeministrit është: Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë".

Informacioni ezaurues

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, mësohet se Rama u kishte komunikuar deputetëve se në takimin e djeshëm (4 nëntor) në Presidencë, Meta nuk i kishte dhënë arsyetim për mosdekretimin e Lleshajt. 

Nga ana e tij zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi, lidhur me takimin e djeshëm “Rama-Meta”,  thekson:  “Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues."

Informacioni që kryeministria shpërndau dje pasdite ishte i shkurtër: Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”.

Meta gati të flas në Kuvend

Zëdhënësi Blushi nënvizon se  Meta është gati t'i  japë shpjegime nëse kuvendi është i interesuar.  

"Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë  interes."

Nesër është caktuar të mblidhet jashtë radhe seanca parlamentare për të votuar dekretin e presidentit për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Emerimi i Sander Lleshit 

Mësohet se kryeministri Rama nuk do të çojë një emër tjetër në Presidencë, por në tyrezën e Metës do të vijojë të jetë emri i Sandër Lleshit, deri kur kreu i shtetit të krijojë bindjen për dekretimin e tij. Ndërkohë burime nga grupi parlamentar i PS bënë të ditur se Sander Lleshi do emërohet zëvendësministër i Brendshëm, dhe do t'i delegohen kompetencat e ministrit të Brendshëm. Gazetari i Ora News, Sonil Frashëri informon se emërimi i Sandër Lleshit në postin e zv/ministirt do të bëhet me një vendim qeverie.

/Ora News.tv/