Politika shqiptarë është bërë bashkë dhe ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

I pari që reagoi ishte ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili përmes një postimi në Tëitter, shkruan se vota e Parlamentit grek zgjidhi mosmarrëveshjen 27 vjeçare mbi çështjen e emrit të Maqëdonisë dhe i hapi dyert asaj për pranimin në BE dhe NATO.

"Ky është një moment historik për Ballkanim,"-shkruan Bushati.

Në fund ish-ministri i Jashtëm ndan dhe një urim për firmëtarët e marrëveshjes historike, Nikos Kotzias, Nikola Dimitrov, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.

Ndërsa një lajm të shkëlqyer e ka cilësuar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Në Facebook, Meta përgëzoi dy shtetet për arritjen historike.

"Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike!"-shkruan Presidenti. 

Kryeministri Edi Rama në twitter shkuran: "Respektim dhe urim për Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev për arritjen e tyre historike dhe fundin e konflikteve të gjata midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut".

Votimi është përshëndetur edhe nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili e quajti një veprim kurajoz të Greqisë.

"Votimi, nga një parlament vizionar. Ballkani po çlirohet nga inercitë  shekullore", tha Ruçi.

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha tha se marrëveshja konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

"Përshendes ratifikimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamenti helen që i hap rrugën anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit,"-shkruajti ai.

Miratimi me 153 vota pro i Marrëveshjes së Prespës, i jep fund mosmarrëveshjes 27 vjeçare Greqi-Maqedoni për emrin.

Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë e ndryshon emrin në "Republika e Maqedonisë Veriore", ndërsa Greqia zotohet të heqë veton për pranimin e vendit në NATO.

/Ora News.tv/