Ministrja Xhaçka–ushtarakëve të Poshnjes: Vlerësim sipas meritës dhe trajtim dinjitoz

Ministrja Xhaçka–ushtarakëve të Poshnjes: Vlerësim

Vlerësim dhe promovim në bazë të meritokracisë dhe trajtim përherë e më tepër dinjitoz për ushtarakët shqiptarë, ishte mesazhi kryesor që ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u dha efektivëve të batalionit të tretë të këmbësorisë në Poshnje, gjatë qëndrimit të saj në Berat, në kuadër të mbledhjes së qeverisë në këtë qark.

Xhaçka falënderoi të gjithë efektivët e këtij batalioni për angazhimin dhe kontributin e tyre në përmbytjet e fundit, sidomos tani që Emergjencat Civile janë nën përgjegjësinë e institucionit që ajo drejton.

Xhaçka: Dua të ndalem pak tek Emergjencat Civile që tashmë janë fushë përgjegjësie e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse e kam parë kontributin, dedikimin, përkushtimin, profesionalizmin e gjithsecilit prej jush në ato operacione shumë të vështira në fillim të dhjetorit, kryesisht në zonën e Fierit dhe të Vlorës, por edhe këtu në Berat me punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjithsecili prej jush për t’i ardhur në ndihmë atyre banorëve që vuanin pasojat e motit të keq.

Ajo u shpreh se ishte në dijeni të vështirësive dhe nevojave të ushtarakëve dhe për të cilat shprehu angazhimin e saj për një trajtim më dinjitoz për secilin prej tyre.

Më tej ministrja zhvilloi një bisedë të shkurtër edhe me ushtarakët që kanë kaluar me sukses testet për t’u bërë pjesë e kontingjentit të ardhshëm shqiptar, i cili do të shërbejë në misionin e NATO-s Resolute Support në Kabul të Afganistanit, në kuadër të rritjes së kontributit të vendit tonë dhe shtimit të trupave shqiptarë në këtë mision. Ministrja i siguroi ata për një proces përzgjedhës të rregullt, i bazuar tërësisht në meritë dhe për të cilin mori konfirmimin e tyre.

Xhaçka: Është shumë e rëndësishme që ky të jetë një proces, i cili vlerëson më të mirët, që vlerëson meritokracinë dhe vlerëson ata njerëz që vërtetë janë të përgatitur për të shkuar në misione paqeruajtëse sepse sigurisht ju të gjithë e kuptoni që është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe që merrni mbi vete, jo vetëm për t’i shërbyer vendit tonë, por edhe për të projektuar siguri atje ku shkoni. Që do të thotë mbroni të tjerët edhe mbroni veten dhe duhet të jeni maksimalisht të përgatitur për këtë moment dhe prandaj insistoj që këto testime, që ky moment vlerësimi të jetë sa më i hapu , sa më transparent edhe gjithsecili prej jush të jetë i qartë për vlerësimin që merr dhe për vlerësimin që merr shoku juaj. Vetëm ata që vërtet meritojnë, janë ata që do të shkojnë në mision dhe kur them meritë, kam parasysh përgatitjen për këtë ditë. Dhe që ky mjedis të jetë më konkurrues dhe të promovojë realisht cilësinë dhe profesionalizmin, duhet të jeni të gjithë në garë më njeri – tjetrin.”

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura iu bashkuan nismës së Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit “Ditët e Pemëve”, duke mbjellë pemë në oborrin e shkollës së mesme të bashkuar “Shyqyri Lakra” në Berat dhe në mjediset e batalionit të tretë të këmbësorisë në Poshnje.

Ministrja Xhaçka shoqërohej nga zëvendësministri Petro Koçi dhe komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani.

EMISIONET