Ministri i Jashtëm italian në kampin e Vorës: Do japim ndihmën maksimale

Ministri i Jashtëm italian në kampin e Vorës: Do japim

Italia do të zhvillojë bisedime me vendet e anëtare të BE për ti bindur për të kontribuuar me donacione për rimëkëmbjen e Shqipërisë. Në vizitën e zhvilluar në Shqipëri, Ministri i Jashtëm i shtetit fqinj shprehet se bisedime do të ketë dhe për të bindur shtetet që janë kundër hapjes së bisedimeve të integrimit.

Pas ndihmës së ekipeve italiane për kërkim-shpëtimin e qytetarëve shqiptarëve të prekur nga tërmeti, Italia vijon të sjellë ndihma materiale për Emergjencat Civile.

Ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio, vizitën në Shqipëri e nisi nga kampi i Vorës ku strehohen rreth 300 persona.

Kryediplomati shprehu ngushëllimit për familjarë e 51 viktimave, ndërsa premtoi që vendi i tij do të jetë në ndihmë të Shqipërisë deri në kthimin në normalitet.

Di Maio: Populli italian është një mik i madh i shqiptarëve dhe kjo miqësi do të forcohet më shumë ps këtij çasti tragjik. Do të ndihmojmë Shqipërinë me të gjitha forcat që ti kthehet sa më shpejt normalitetit.

Përveç ndihmës materiale, gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama, Di Maio premtoi se Italia do të kërkojë të bindë vendet e BE për të kontribuar në konferencën e donatorëve.

Di Maio: BE mund të bëjë më shumë dhe do të bëjë më shumë. Populli shqiptar nuk do të lihet vetëm. Në ditët në vijim Italia në të gjitha takimet do të bëjë të mundur që të japë ndihmesën për ti rikthyer normaliteti. Të bindë KE që ti qëndrojë pranë popullit shqiptar. Do punojmë fuqishëm dhe në konferencën e donatërove. Do vëmë në dispozicon teknikët tanë për të hartuar një vlerësim paraprak për pasojat e tërmetit në mënyrë që konferenca e donatërove të ketë një kuadër të qartë të dëmeve.

Integrimi i Shqipërisë në BE, do të jetë një tjetër çështje për të cilën fqinji ynë përtej Adriatikut do të marrë përsipër për të bindur vendet skeptike të unionit.

Di Maio: Italia po këmbëngul dhe do të këmbëngulë për domosdoshmërinë e një vendimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri shqiptar ka përfituar nga ky takim për t’i kërkuar Ministrit italian mbështetje teknike për luftën ndaj KÇK-së.

Rama: Ministri më ka konfimrmuar gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht me asistencë teknike por me njerëz në terren. Bashkëpunim konkret dhe të përditshëm.

Luigi di Maio ka zhvilluar takime edhe me kreun e PD dhe me Presidentin e Republikës Ilir Meta.

EMISIONET