Mezani: Mungoi iniciativa, faji i imi

Mezani: Mungoi iniciativa, faji i imi

Luftëtari ka dal pa pikë nga takimi i javës së 14-të në Kategorinë Superiore, pasi u mposht nga Teuta me shifrat 1-0. Një disfatë që dhemb në kampin gjirokastrit, ndërkohë që tekniku i tyre, Gentian Mezani pas ndeshjes u shpreh:

E nisët të trembur, dhe kjo ju kushtoi. Tentuat të rikuperonit, por në fund erdhi humbja?

"E vërtetë, ishim në gjumë minutat e para. Ia kërkoja çunave, sepse çështja e përqendrimit është e rëndësishme, dhe shpresoj të jetë e para dhe e fundit, që pësojmë kaq herët. Kundërshtari nga gjeti të papërgatitur. Nga vjet, kam pësuar gati 9 ndeshje herët me Laçin, dhe na është dashur të rikuperojmë. Duhet ta zgjidhim shpejt këtë gjë, sepse është e papërshtatshme në këto pozita që jemi."

I kënaqur nga Shkurtaj?

"Skuadrat dhe trajnerët po e njohin, dhe po i japin detyra të caktuara për ta markuar. Sot pati mbështetje, nuk doli në lojën e tij, por rastet i ka pasur. Duhej të ishte treguar më individualist në disa momente për të shënuar. Unë mendoj se duhet të marrim diçka pozitive nga kjo ndeshje, për lojën e mirë që treguam, të rregullojmë gabimet dhe të ecim përpara."

87 minuta plus shtesa, gjithë ndeshja për një gol. Mungon një plan B, apo nuk ju ecën as manovrat?

"Mungoi iniciativa e lojtarëve, pasi rastet i kemi pasur. Kemi qenë te zona e kundërshtarit, por nuk goditëm shumë portën. Ymeraj duhej të tregohej më cinik, apo edhe Rroca. Kemi pasur shumë raste për një ndeshje futbolli, minimalisht duhej të shënonim 2 gola, por pa iniciativë, nuk shënuam asnjë. Më kënaq fakti që prodhojmë, kemi qenë superiorë. Do doja që të luaja keq dhe të fitoja, apo ndoshta një pikë. Do shikojmë gabimet të përmirësohemi."

37 kartona të verdhë deri më tani, si shpjegohet?

"Ndoshta e kanë liruar pak dorën me ne, nuk e di këtë, gjithsesi kjo ishte shaka. Presioni është i madh te ne, dhe ndërhyrjet janë pak më të ashpra se normalisht, dhe do ndëshkohemi kur është. Ka pasur shumë raste që mund të evitoheshin, si nga ana jonë edhe nga ana e arbitrave. Nuk janë kartonët ata që na kushtëzojnë, kemi marrë kartonë dhe kemi luajtur përsëri fort. Nuk dua të mendoj atë pjesë. Ato do na kushtëzojnë në ndeshjet e radhës, por kjo vjen nga pozita ku jemi në këto momente."

3 pikë kundër Kastriotit dhe 1 pikë ndaj Vlorës, në transfertat e tjera keni humbur. Ka ndryshim kur luani në Gjirokastër?

"E patë ndeshjen ndaj Tiranës, në pjesën e dytë skuadra është rritur. Edhe sot bëmë një lojë të mirë në pjesën e dytë, krijuam. Nuk i shfrytëzuam më së miri, pasi kishte edhe tension, por kemi luajtur mirë edhe jashtë. Ndoshta duhet të kemi pak më shumë fat, ta kërkojmë edhe te vetja, të jemi më të përqendruar, si në mbrojtje por edhe në sulm. Nuk mund të pësojmë ato gola, por edhe nuk mund të humbim ato rastesh."

E pafalshme që Kallaku shënoi nga ajo zonë..

"Keni të drejtë, detyrat janë të caktuara në ato momente. Nuk dua të bëj dikë fajtor, por e thashë që na gjeti në gjumë. Do e analizojmë pas ndeshjes. Faji është i imi i pari pa diskutim. Ndoshta na kanë bërë keq 2 javë pushim, ka qenë humbja e përqendrimit. Shpresoj ta zgjidhim sa më shpejt, pasi kemi nevojë në këto momente."-tha Mezani për "Supersport".

EMISIONET