Presidenti i Këshillit të BE: Duhet të zgjidhim ngërçin e krijuar tetorin e kaluar

Presidenti i Këshillit të BE: Duhet të zgjidhim

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka deklaruar se metodologjia e re e zgjerimit duhet të shërbejë për të zhbllokuar ngërçin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti rotacional i Këshillit të BE-së, është shprehur se platforma e re duhet të çojë në një vendim politik për hapjen e negociatave dhe se progres-raportet për të dyja vendet kanë qenë pozitive.

Presidenca rotacionale e Këshillit të Bashkimit Evropian, që në këtë gjashtë mujor mbahet nga Kroacia, beson se miratimi i metodologjisë së re për zgjerimin do të çojë në hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i këtij vendi, Andrej Plenkovic, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Jashtëm të BE-së, është ndalur edhe tek situata në rajon, duke u shprehur se platforma e re që hyri në fuqi së fundmi, duhet të shërbejë për marrjen e një vendimi politik.

“Dua të falënderoj Komisionin Europian, Përfaqësuesin Borej, Komisionerin Varhej dhe Presidenten Fon der Lajen që adoptuan një metodologji të re për negociatat e anëtarësimit. Unë mendoj se kjo platformë do të na lejojë që të zhbllokojmë situatën e krijuar në tetorin e kaluar në Këshillin Evropian. Kemi parë gjithashtu raportet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne besojmë se sa më pranë BE-ja të jetë me vendet e Ballkanit, aq më shpejt këto vende do të shënojnë progres të kënaqshëm.”

Edhe pse mbledhja është dominuar nga diskutimet për krizën e emigrantëve në kufirin greko-turk, palët e kanë shfrytëzuar takimin edhe për të folur mbi ecurinë e javëve të ardhshme mbi fatin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.



EMISIONET