Meta besimplotë te Kuvendi: Kërkesat e studentëve të drejta dhe të realizueshme

Meta besimplotë te Kuvendi: Kërkesat e studentëve të drejta

Presidenti, Ilir Meta, legjitimoi edhe një herë si të drejta kërkesat e studentëve, të cilët protestojnë prej 13 ditësh.

Ai apeloi sërish qeverinë të reflektojë mbi kërkesat e studentëve.

Meta: Nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta legjitime dhe të realizueshme, ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë.

Edhe pse në mbledhjen e grupit parlamentar, socialistët vendosën ta rrëzojnë dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e ligjit të buxhetit, Meta sërish u shpreh besimplotë në një reflektim të Kuvendit.

Meta: Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë në interesin më të mirë të të gjithë vendit.

Sipas kreut të Shtetit, pasuria më e madhe të cilës duhet ti kushtojmë më shumë vëmendje sesa deri tani është rinia, është potenciali i saj.

Meta: Investim madhor dhe afatgjatë duhet të jetë një edukim sa më cilësor dhe i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë. Formimi profesional i të rinjve në të gjitha fushat është domosdoshmëri. Pa bërë një ndryshim të ndjeshëm dhe afatgjatë në kapitalin njerëzor do ta kemi të vështirë për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse.

Deklaratat Meta i bëri në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Akademisë Politike, nga ku konstatoi se vajzat dhe zonjat mbizotërojnë në trupën e studentëve.

EMISIONET