Deklarata e Presidentit, Ilir Meta, në maj të këtij viti për ekzistencën e një lobi proserb në SHBA të cilit i interesojnë trazirat në Shqipëri, që sipas tij pati dorë edhe në shembjen e Teatrit shkaktoi jo pak reagime.

E ndërsa sot priti në zyrën e tij presidentin Hashim Thaçi, duket se nuk e ka ndarë këtë shqetësim me të.

Pyetje: Zoti President a keni biseduar me zotin Thaçi për shqetësimin tuaj për një lob proserb që i interesojnë trazirat në Shqipëri?

Meta: Nuk kemi biseduar për këtë çështje. Ajo që kemi biseduar është që Kosova të vazhdojë në forcimin e institucioneve demokratike.

Presidenti Meta komentoi edhe zhvillimet në Kosovë, duke vlerësuar tranzicionin paqësor të qeverisë.

Një përshëndetje nga Tirana rezervoi edhe për ish-kryeministrin Albin Kurti.

Meta: Ajo që dua të vlerësoj është që pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme edhe në raport me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese kemi pasur një tranzicion paqësor, demokratik të qeverisë në Kosovë. Për këtë do të doja të përshëndesja edhe ish-kryeministrin Albin Kurti të cilin e falenderoj shumë edhe për bashkëpunimin që kemi pasur me të gjatë këtyre muajve. 

Përsëri Kosova dha një shembull mjaft pozitiv të respektimit të institucioneve edhe kur nuk na pëlqejnë apo kur kemi kundërshtim për vendimet e tyre dhe shpresojmë të ketë sa më shumë bashkëpunim për të gjitha sfidat që Kosova ka aktualisht dhe ne do ta mbështesim gjithmonë vullnetin e popullit të Kosovës dhe do të respektojmë gjithmonë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës.

/Ora News.tv/