Gjatë 95 viteve, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është ndeshur me shumë peripeci por ia ka dalë të percjellë te qytetarët misionin për rrënjosjen e dashurisë për fenë, njeriun dhe atdheun.

I pranishën në ceremoninë e themelimit, Presidenti Ilir Meta vlerësoi tolerancën fetare dhe inkurajoi Komunitetin Mysliman të vijojë në këtë traditë.

Meta: Ne jemi një vend evropian, shkruhej në revistën ‘Zani i Naltë’, dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi perëndimor gjithçka është e mirë’. Kjo vlen edhe sot. Në këtë mënyrë liderët mysliman vendosën në themel të institucionit të tyre të kultit baza të shëndosha në organizim, arsimin, kulturën dhe shtypin e shkruar. Ne vlerësojmë këtë traditë të shkëlqyer dhe jemi të vetëdijshëm për rrugën e vështirë plot sakrifica të Komunitetit Mysliman. Respektimi i ndërsjellë i kulturave fetare është kontributi më i mirë që Shqipëria jep për gjithë ato pjesë të botës të përfshira në vorbulla konfliktesh dhe sjellje radikale fetare.

Me rëndësi për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, është ruajtja e ekuilibrave të brendshëm të shtetit teksa evidentoi fenomenet globale që po rrezikojnë themelet e shoqërisë.

Bruçaj: Ne do të kemi sukses vetëm duke ruajtur ekuilibrat e brendshëm si një komb europian me shumicvë myslimane ku kultivohet seriozisht harmonia fetare dhe jo thjesht një retorikë politike.

Kontributin e Komunitetit Mysliman ndër vite e vlerësoi edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.

Brahimaj: Komuniteti Mysliman i Shipërisë në këto 95 vite ka treguar respekt, mirënjohje, respekt të veçantë edhe për tarikatet e tjera në Shqipëri duke i konsideruar këto si pasuri islame.

Në misionin e tij për rrënjosjen e dashurisë për fenë dhe atdheun, Komuniteti Mysliman është mbështetur e ndihmuar prej botimit të revistës së mirënjohur “Zani i Naltë”, së cilës Presidenti Ilir Meta i akordoi titullin e lartë “Naim Frashëri".


/Ora News.tv/