Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar Papa Franceskun me rastin e e 7-vjetorit Papnor.

Meta i përcolli urimet Papës në emër edhe të popullit shqiptar, duke i uruar sukses të plotë në përmbushje të misionit hyjnor.

“Përfitoj nga rasti që, në këto ditë të veçanta, për mbarë botën dhe në veçanti për Italinë, Shqipërinë dhe shumë vende të tjera, të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që, Shenjtëria Juaj dhe Kisha Katolike në Shqipëri, i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Meta.

Duke i kujtuar vizitën në Shqipëri dhe mesazhet që përcolli për popullin shqiptar, Meta tha se në këto ditë të vështira që njerëzimi po përjeton për shkak të koronavirusit, asnjëherë nuk kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse.

“Në këto kohë, fatkeqësisht njerëzimi po përjeton zhvillime të shumta dramatike, por atij asnjëherë nuk i kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse të Shenjtërisë Tuaj, për më shumë dashuri, bashkëpunim, mirënjohje, solidaritet e dhembshuri, si dhe për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri.

Me dëshirën për t’i forcuar e pasuruar më tej lidhjet institucionale e shpirtërore, mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Zoti ju dhëntë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për të mirën e njerëzimit”, mbyllet mesazhi i Presidentit.

/Ora News.tv/