Presidenti Ilir Meta është shprehur se sot është një ditë e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Meta u bëri thirrje deputetëve që të zgjedhin sot anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman.

Ndërsa shtoi se po e ndjek me vëmendje këtë proces duke theksuar se do shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Postimi i plotë i Metës në Facebook:

Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t'i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!

Lexo: Kuvendi zgjedh sot dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi do të mblidhet sot për të zgjedhur dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për vakancat e shpallura më datë 12 shkurt 2018 dhe 4 mars 2018.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Kuvendit dy listat e renditjes së kandidatëve për dy vendet vakante, më 14 tetor 2019.

Kreut të shtetit i skadoi të premten në datë 8 nëntor, afati për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa i është ankuar kreut të kuvendit, avokatit të popullit por dhe drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, për ngërçin e  krijuar për anëtarin e dyte të Gjykatës Kushtetuese. 

/Ora News.tv/