Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta ngre si shqetësim numrin e lartë të emigrantëve. Në aktivitetin e zhvilluar me Aleancën Studentore, Kreu i Shtetit solli shifra nga reduktimi i numrit të nxënësve.

Meta: Sot kemi rreth 243 mijë nxënës në arsimin shkollor 9-vjeçar, nga 560 mijë që kanë qenë të regjistruar 20 vite më parë.  Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në vitin 2017, popullsia në grup moshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më aktive dhe më vitale edhe e tregut të punës, u reduktua me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001. 

Për Metën kjo duhet parë si një sinjal alarmi.

Meta: Vetëm këto dy statistika mjaftonjnë si një këmbanë alarmi për të ardhmen e ekonomisë dhe të shoqërisë tonë. Ndryshimet demografike, shpopullimi i zonave të caktuara dhe emigracioni, plakja e popullsisë, rëndësia e edukimit cilësor dhe vendet e reja të punës të mirëpaguara për të rinjtë, duhet të jenë çështjet më prioritare në axhendën tonë të zhvillimit dhe mirëqeverisjes. Këto janë sfida madhore jo vetëm për të rinjtë, por edhe për forcat politike, për programet dhe angazhimet e tyre karshi pritshmërive dhe interesave të qytetarëve.

Meta theksoi se duhet të krijohen kushtet që  të rinjtë të japin kontributin e tyre në Shqipëri.

Meta: Asetet më të mëdha të Shqipërisë nuk janë thjesht resurset natyrore apo nëntokësore, të cilat për fat të keq ne jemi mësuar edhe t’i shpërdorojmë, por të rinjtë dhe ëndrrat e tyre për të ringritur krenarinë e këtij vendi, duke punuar dhe kontribuar këtu.Shqetësimi im madhor ka qenë dhe mbetet se si t’iu rikthejmë shpresën dhe t’iu krijojmë kushtet e nevojshme të rinjve tanë të kualifikuar për të investuar talentin dhe energjinë e tyre këtu, dhe jo jashtë vendit.Më shumë duhet të bëjmë që mijëra të rinjë të mirëedukuar në universitetet më të njohura të botës mos ta shohin kthimin në atdhe akoma me skepticizëm, sepse nuk u krijohen mundësitë që meritojnë për t’u integruar në tregun e punës, në vendimmarrje, apo edhe në qeverisje.

Për Presidentin është e nevojshme që në Shqipëri të themelohet mendimi i pavarur përtej institucioneve politike dhe themelimi i Aleancës është sinjali i fortë poziv. Ndaj dhe një herë ai theksoi se Shqipëria duhet të jetë me të rinj dhe e të rinjve.



/Ora News.tv/