Meta: Bashkëpunimi me NATO-n, rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale

Presidenti i vendit, Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sir Stuart Peach. Duke e vlerësuar si legjitime kërkesën e NATO-s për të ndarjen e drejtë të barrës së përgjegjësive, presidenti theksoi se i ka kërkuar qeverisë të rrisë vit pas viti buxhetin deri në 2% të GDP në vitin 2024.

“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Do punoj pa u lodhur për një Shqipëri të qëndrueshme, demokratike dhe anëtare të denjë të NATO-s,"- tha Meta.

Gjatë takimit, Meta vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Komiteti Ushtarak i NATO-s për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës.

Ndërsa garantoi se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale, duke nënvizuar se roli dhe prezenca e NATO-s në rajon është faktor kyç për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

/Ora News.tv/