Gjatë vizitës në Egjipt, Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me homologun egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi. Duke iu referuar sfidave dhe interesave të përbashkëta në rajonin e Mesdheut, Presidenti Meta shprehu vullnetin për ta shfrytëzuar këtë vizitë, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona.

Të dy presidentët ndanë mendimin se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë shumë më të mëdha se rezultatet aktuale dhe kuadri ligjor në fuqi është stimulues në këtë drejtim.

Presidenti Meta e siguroi homologun El-Sisi se investimet egjiptiane janë të mirëpritura në Shqipëri.

“Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse në rajonin e Ballkanit për sipërmarrjet egjiptiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti El-Sisi shprehën mbështetjen e tyre për një shfrytëzim më të mirë të këtyre mundësive dhe mbledhjen sa më parë të Komisionit të Përbashkët Ndërshtetëror, që do të identifikojë të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit.

Një vëmendje të veçantë të dy bashkëbiseduesit ua kushtuan edhe zhvillimeve në rajonet respektive.

Presidenti Meta dhe Presidenti El-Sisi ndanë mendimin se bashkëpunimi e solidariteti në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i domosdoshëm për një rajon mesdhetar që zhvillohet në paqe dhe begati.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e Egjiptit në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar aktor dhe partner qendror në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në fund, Presidenti Meta e ftoi Presidentin El-Sisi për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi.

/Ora News.tv/