Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit dhe të votojnë “Pro” të ardhmes së sigurtë europiane të vendit.

Deklarata u bë gjatë një takimi që kreu i shtetit pati me  kreun e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

"Presidenti Meta vlerësoi qasjen pozitive të Qeverisë së Maqedonisë për reformat gjithëpërfshirëse dhe kontributin e rëndësishëm të faktorit politik shqiptar në këto procese jetike.

Kreu i shtetit Meta nënvizoi se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka pasur dhe ka një rol të pazëvendësueshëm në procesin e transformimit të brendshëm social dhe politik, si dhe për integrimet e Maqedonisë në organizatat euroatlantike", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Duke nënvizuar rëndësinë e integrimit të shpejtë europian të të dy vendeve tona si dhe të rajonit, Presidenti Meta theksoi se Maqedonia është në një moment tepër të favorshëm dhe optimist pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë.

/Ora News.tv/