Në kuadër të vizitës shtetërore në San Marino, Presidenti Ilir Meta u prit sot me nderimet shtetërore nga Kapitenët Regjentë, Stefano Palmieri dhe Matteo Ciacci.

Duke vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, Meta theksoi se këto marrëdhënie vetëm në dy vitet e fundit janë intensifikuar ndjeshëm dhe po japin rezultate konkrete.

Meta: Qëllimi kryesor i vizitës sime në San Marino është që t’i përkthejmë ndjenjat e konsoliduara të miqësisë recicproke në bashkëpunim të fuqishëm ekonomik e kulturor.

Në këtë aspekt, Presidenti Meta, vlerësoi lart dhe përshëndeti vendimin më të fundit të Qeverisë së San Marinos për të hapur një Ambasadë rezidente në Tiranë dhe theksoi se hapja e saj do t’i japë një shtytje të re këtyre marrëdhënieve.

Me shumë interes u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, operatorve turistikë, dhomave të tregtisë, financës, bujqësisë, arsimit, inovacioniet, bashkëpunimit ndërmjet televizioneve publike, etj.

Në mënyrë të veçantë bashkëbiseduesit vlerësuan angazhimin e të dy vendeve në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe ndanë mendimin se, afrimi i tyre me BE-në dhe tregun e përbashkët evropian do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.

Presidenti Meta diskutoi me Kapitenët Regjentë të San Marinos edhe mbi sfidat e kërcënimet që dy vendet kanë në këto momente, veçanërisht nga kriza e emigracionit dhe veprimtaria e krimit të organizuar në të dy anët e Adriatikut. U ra dakord që të ketë një bashkëpunim koordinim më të mirë mes strukturave shtetërore të të dy vendeve.

/Ora News.tv/