Kreu i Shtetit, Ilir Meta, i ka kujtuar Ramës dhe Bashës se kanë shpërdoruar një muaj kohë duke mos gjetur një dakordësi për një marrëveshje politike për ta çuar vendin në zgjedhje demokratike. Nga Bosnja, Kreu i Shtetit përshëndeti të gjithë ndjekësit në rrjetin social facebook me mikun e tij më të ri Darkon.

Nuk ndalen përpjekjet e presidentit Ilir Meta për të ulur në një dialog mazhorancën dhe opozitn për zgjidhjen e krizës politike.

Nga Bosnja, me anë të një statusi në facebook pas takimit me homologun e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendaroski, Kreu i Shtetit ka apeluar politikën shqiptare se po shpërdorojnë ditët me retorikë politike  dhe nuk po arrijnë të përqëndrohen  tek një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike.

Meta: “Sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme".

Gjithashtu Presidenti Meta i ka kërkuar mazhorancës që të marrë shembull nga Maqedonia e Veriut  për përfshirjen e opozitËs ne çështjet themelore të demokracisë.

Meta: “Ishte kënaqësi të konstatoja vendosmërinë e Presidentit Pendarovski për të bashkëpunuar dhe përfshirë opozitën në dialog për çështjet themelore të shtetit dhe demokracisë. Të dy vendet tona duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor".

Nuk dihet ende nësë Ilir Meta do të arrijë të ulë në një tryezë dialogu Ramën dhe Bashën, por mikun më të ri qenin Darko, do ta bashkojë me macen e tij  Sasha.

Meta: Ju përshëndes me Darkon, mikun tim të ri këtej nga Jahorina në Bosnje pas një shëtitje mjaft të këndshme. Përshëndes në veçanti Sashën, macen time të dashur, pasi ngjajnë shumë dhe shpresoj të takohen së shpejti. Thonë se macet me qentë nuk shkojnë, por ky nuk është rasti.

/Ora News.tv/