Meta takon homologen kroate

Meta takon homologen kroate

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me homologen kroate Kolinda Grabar-Kitarović në bashkinë e Zadarit, ku diskutuan mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.

Presidentja Grabar-Kitarović ripërsëriti mbështetjen e palëkundur të Kroacisë dhe të sajën personale për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Meta: Kontributi i rëndësishëm, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën heroike për pavarësi të Kroacisë janë tregues i kësaj miqësie të veçantë.

Duke vënë në dukje se këto marrëdhënie të shkëlqyera janë model në rajonin tonë, sepse mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve dhe vizionin e përbashkët drejt së ardhmes euroatlantike, Presidenti i Republikës nënvizoi faktin se të dyja vendet anëtare të NATO-s ndajnë jo vetëm sfidat, por edhe përgjegjësitë për paqen dhe sigurinë si dhe për zhvillimin ekonomik në Evropën Juglindore dhe hapësirën Adriatiko-Joniane.

Meta: Këto janë arsye të qenësishme që marrëdhëniet tona të ngrihen në nivelin e partneritetit strategjik dhe të forcohen në interes të një bashkëpunimi edhe më cilësor.

Presidentja e Kroacisë, Grabar-Kitarović theksoi se krahas mbështetjes së palëkundur për integrimin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të punojmë së bashku për mbrojtjen e detit Adriatik nga ndotja, gjë që është jetësore për vazhdimësinë e veprimtarive detare.

Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović diskutuan edhe me Prefektin, Kryebashkiakun dhe kreun e Dhomës së Tregtisë së Zadarit, duke vënë theksin te rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtarë në fushën e peshkimit, transportit detar, turizmit.

Meta: "Një vëmendje e veçantë duhet treguar edhe ndaj veprimtarive të përbashkëta kulturore dhe artistike, me synim e ruajtjes së trashëgimisë së vjetër kulturore, traditat dhe gjuhën e Arbanasve.

Të dy Presidentët theksuan rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit midis universiteteve të dy vendeve ku Universiteti i Zadarit si mjaft i njohur dhe me traditë do luajë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen duke nisur nga 11 dhjetori i ardhshëm kur në Tiranë do të organizohet një event i rëndësishëm për promovimin e gjuhës kroate dhe Kroacisë.

EMISIONET